Fier/ Mblidhte mbeturina për të blerë ilaçet e tensionit, 70-vjeçarja humb kontaktet me familjarët

8 Mars 2020, 16:31 | Përditesimi i fundit: 2020-03-08 17:56:37

Një zonjë e moshuar rreth 70 vjeç ka humbur prej 2 ditësh në zonën e fushës së mbetjeve në Fier.

Zhevrie Verlaci, pjesë e komunitetit rom ka humbur kontaktet me familjarët ditën e djeshme rreth orës 12:00.

Sipas familjarëve zonja merrej me mblidhjen e mbeturinave, tek fusha e mbetjeve të riciklueshme.

Ajo duhej të gjente një mënyrë për të blerë ilaçet, pasi vuant nga tensioni dhe mbledhja e mbetjeve ishte mënyra e vetme që të nxirrte të ardhurat.

Lulzim Ymeraj,  përfaqësues i komunitetit rom ka bërë apel për ndihmë për të gjetur zonjën Zhevrie.

Ngjitur me fushën e mbetjeve ndodhet një lumë dhe dyshohet se ajo edhe mund të jetë mbytur, kështu që nevojitet edhe ndihma e polumbarëve.

Pas denoncimit nga ana e familjarëve, policia e Fierit është vënë në kerkim të 70- vjeçares.