Fier/ Po punonte tokën, fermeri gjen një predhë pranë liqenit

4 Prill 2019, 16:58

Fier-Një fermer i cili ka qenë duke punuar tokën ka evidentuar një predhë pranë liqenit në fshatin Frakull.

Ministria e Mbrojtjes njofton se forcat xheniere kanë bërë të mundur heqjen dhe transportimin  e saj. Predha e gjetur mendohet se peshon rreth 250 kg dhe është përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fermeri që ka gjetur predhën ka njoftuar autoritetet të cilat kanë dërguar në terren një grup ekspertësh të cilët pasi nxjerrjes së predhës nga zona po punojnë për transportimin e saj drejt poligonit ku dhe do të asgjësohet.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Pas shumë orësh pune, ekspertët e kompanisë EOD (Struktura speciale për eliminimin e materialeve të rrezikshme), të batalionit xhenier në Komandën Mbështetëse në Forcat e Armatosura, kanë bërë të mundur heqjen dhe transportimin e bombës së aviacionit, e përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bomba, që mendohet se peshon rreth 250 kg është gjetur në fshatin Frakull e Madhe. 

Ka qenë një fermer i Frakullës së Madhe, i cili duke punuar tokën ka konstatuar prezencën e materialit në parcelën e tij.

Menjëherë pas kërkesës së bërë nga Prefektura e Fierit, Ministria e Mbrojtjes dërgoi në terren grupin e ekspertëve EOD, të cilët konform rregullave dhe protokollit të sigurisë morën masa për sigurimin e vendit, punuan për nxjerrjen e bombës dhe bënë të mundur transportimin e saj drejt poligonit ku do të asgjesohet. Asgjesimi bëhet  në zona të përcaktuara për këtë funksion nga Forcat e Armatosura, larg zonave të banuara dhe nën masa sigurie të larta.