Fier, po transportonin sirianë në dy makina, arrestohen katër persona

28 Tetor 2020, 11:25 | Përditesimi i fundit: 2020-10-28 12:44:53

Katër persona janë arrestuar në aksin Levan-Tepelenë pasi po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm me qëllim kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu policia sekuestroi dhe një armë tip automatik me 153 fishekë luftarak, 2 automjete dhe 4 aparate celularë.

Në pranga kanë rënë Xh. B., 25 vjeç, E. B., 25 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe K. T., 25 vjeç, banues në Fier.

25-vjeçari me iniciale E.B. ka thyer masën e tij të sigurisë 'arrest shtëpie' të cilën e kishin vendosur për të njëjtën akuzë.

"Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, duke transportuar në bashkëpunim me njëri - tjetrin, me mjetet tip "Ford Fiesta" dhe "Benz", 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit" - njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.