Fier/Arrestohet pas 5 orë negociatash, kërcënoi se do vetëvritej me kallashnikov te vjehrri

20 Shtator 2020, 13:12

Janë dashur 5 orë negociata dhe përpjekje nga ana e policisë me 31-vjeçarin Elton Meta, që ky i fundit të lëshonte kallashnikovin që i kishte vënë vetes duke kërcënuar se do të vetëvritej dhe të dorëzohej. Në ndihmë të grupit negociator ishte bashkuar edhe motra e 31-vjecarit, për të bindur të vëllanë të hiqte dorë nga ky akt ekstrem.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në orën 23:00 në fshatin Zhupan të Fierit, ku 31-vjeçari kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së vjehrrit duke kërcënuar se do të vriste veten me një automatik. Kjo ka terrorizuar familjarët duke vënë në rrezik jetën e tyre, por që fatmirësisht janë evakuuar nga policia. Gjatë negociatave 31-vjecari ka qëlluar me armë zjarri në ajër, një veprim ky që dyshohet të jetë marrë për të kërkuar largimin e efektivëve, por që pas disa orësh më në fund është bindur të dorëzohet në orën 04:00 të mëngjesit. 31-vjeçari Elton Meta, banues në Peshtan, kishte shkuar në fshatin Zhupan, në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, dhe ka kanosur me një armë zjarri personat që ndodheshin në banesë. Më pas ka dalë në portën e oborrit e vilës 3-katëshe dhe kërcënonte se do vriste veten me kallashnikovin që dispononte.  

Menjëherë në drejtim të vendngjarjes shkuan forcat speciale RENEA , FNSH dhe  grupi negociator, ku e pranishme ishte edhe motra e 31-vjeçarit për të bindur të vëllanë që të dorëzohej dhe të mos bënte ndonjë marrëzi. Policia vendosi perimetrin e sigurisë ndërsa për orë të tëra i bënte thirrje me megafon që të hidhte armën dhe të dilte.

Prindërit e Elton Metës, Bashkim Meta dhe Sabrie Meta, gjatë një interviste për Report Tv hedhin dritë mbi arsyet që çuan djalin e tyre të bëjë një akt ekstrem duke kërcënuar të vetëvritet. Sipas prindërve të Eltonit ai kërkonte që të shihte vajzën ë tij të vogël të cilën ja kishte marrë bashkëshortja dhe kishte ikur te shtëpia e prindërve të saj. Ndërkohë prindërit e Eltonit hedhin dyshime edhe se bashkëshortja e djalit, nusja e tyre fliste me dikë në telefon, çka mund të jetë shkak edhe i gjestit ekstrem të Eltonit. Sipas prindërve të 31-vjeçarit, shkak i ngjarjes së djeshme ka qenë xhelozia dhe kërkesa për ndarje nga ana e bashkëshortes, e cila nuk lejonte që ai të shinte vajzën e vogël. I ati i 31-vjeçarit, Bashkim Meta shtoi se djali nuk kishte armë dhe se atë e kishte blerë dhe në gjendje depresive kishte shkuar te shtëpia e vjehrrit të vet dhe kërcënonte se do të vriste veten nëse nuk e lejonin të shinte vajzën.