Finalja e Conference League/ Nano: Ndaluam përplasjen me thika, leva hekuri e shkopinj mes tifozëve, po mendohet shpërblim për policët

26 Maj 2022, 14:37

Policia e Shtetit bën bilancin e punës në mbarëvajtjen e ndjeshjes finale, Roma-Feyenoord. Drejtori i Përgjithshëm i Policië, Gledis Nano tha se po mendohet një shpërblim për policët. 

"Sot është një ditë kur jo vetëm dhe thjesht do të bëjmë një bilanc të punës së Policisë së Shtetit, në mbarëvajtjen e një prej ngjarjeve më kryesore të UEFA Conference League, e cila u zhvillua në Shqipëri, në stadiumin “Air Albania”, por si kryefjalë të këtij takimi, unë si Drejtues i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam falënderimin për të gjithë efektivët e Policisë që u angazhuan dhe përballuan një ndër evenimentet më të mëdha ndërkombëtare të futbollit.  

Në krejt historinë e saj, jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe mbarë vendi ynë nuk ishte ndeshur me peshën e organizimit të një eventi të tillë. Kjo ishte një përvojë e parë e këtyre përmasave, e cila tregoi se Policia shqiptare nuk u gjet e papërgatitur, madje më duhet të pohoj se duke parë përvojat dhe pasojat e shkaktuara në disa prej qyteteve të vendeve evropiane në ndeshje të përmasave të tilla, Shqipëria shënoi një ndër sukseset më të shumëpritura në këtë drejtim.

Padyshim që fluksi i jashtëzakonshëm i tifozëve dhe i personaliteteve të sportit në Shqipëri, ndikoi që në shumë prej tyre të thyhej mendësia se Shqipëria është një vend i pasigurtë. Përkundrazi, ata në këto ditë të qëndrimit u shprehën se vendi ynë ofron më shumë se pritshmëritë e tyre dhe këtu kam parasysh gjithçka, çdo resurs kulturor, artistik, sportiv dhe gjeografik që identifikon dhe prezanton vendin tonë.  

Pak orë më parë, në Tiranë u përmbyll me shumë sukses finalja e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës - Itali dhe Feyenoordit – Hollandë.

Një aktivitet i përmasave të jashtëzakonshme, që kërkonte një plan të detajuar, angazhim maksimal, profesionalizëm, bashkëpunim dhe mirëkuptim.

Për herë të parë Policia e Shtetit hartoi një plan masash të guximshëm dhe me risk, plan i cili, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave të Policisë së Shtetit, u finalizua me sukses.