Financat/ Në 2021 zerohen detyrimet e TVSH-së, Lera: 90% e stokut i takon TAP

18 Nëntor 2019, 21:02

TIRANË- Stoku i detyrimeve të prapambetura me rimbursimin e TVSH-së për operatorët ekonomikë do të zerohet në qershor të vitit 2021. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera ka deklaruar sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese se në vitin 2020 do të rimbursohen 21 miliardë lekë.

Ai po ashtu ka sqaruar se pjesa më e madhe e rimbursimeve i takon operatorit ekonomik TAP, me të cilin është nënshkruar një marrëveshje për shlyerje të detyrimeve me këste.

“Ne do të ulim stokun e rimbursimeve në vitin 2019, me 10%, dhe është 38% më shumë se në vitin 2018, kur janë rimbursuar 14.2 miliardë lekë. 90% e këtij stoku është e subjektit TAP, me të cilin do të kemi skemë të pagesës me këste të shtrirë në 1 vit e gjysmë, dhe nga 16.8 miliardë lekë në fund të këtij viti që do të jetë stoku pjesa më e madhe i takon TAP me 85% dhe 5% është për një subjekt hidrocentralesh. 13.5 deri në 14 miliardë lekë i takon TAP nga 16.8 miliardë lekë që do ngeli në fund të këtij viti. Tatimpaguesit e vegjël, si fasonët apo eksportuesit që kërkojnë edhe vlera më të vogla rimbursimi iu është vonuar 13 deri në 15 ditë” u shpreh Drejtori i Politikave Fiskale në MFE.

Po ashtu në komision është diskutuar edhe për buxhetin e vitit 2020, si dhe për projektligjin e fiskalizimit, ku përsëri si shqetësim është ngritur kostoja që do të sjellë implementimi i pajisjeve të reja fiskale. Paraprakisht është parashikuar që blerja e një aplikacioni të kushtojë 30 euro.