Fino: Je i palshëm, i shtyve zgjedhjet se donte Lul Basha! Meta: Je i preferuari, të pres për kafe

9 Shtator 2019, 13:25

Deputeti socialist Bashkim Fino disa ditë më parë në komisionin e ligjeve pr të shqyrtuar dekretet që presidenti ka kthyer në Kuvend, tha se Ilir Meta e ka personale me të. Kreu i shtetit gjeti rastin t'i kthejë përgjigje Finos, sot në komisionin hetimor ngritur për kushtetutshmërinë e dekreteve të tij për zgjedhjet vendore, duke thënë se ai mbetet i preferuari i tij. Ndërsa në përfundim të komisionit nuk munguan batutat kur e ftoi për kafe në presidencë.

Bashkim Fino: Presidenti duhet të jetë mbi palët. Më keni krijuar përshtypjen që keni qenë i palshëm. Ju thoni se shtyva zgjedhjet se nuk donte një palë, pra nuk donte Lul Basha të hynte në zgjedhje. Po tani që të dyja palët nuk i duan zgjedhjet. Çfarë do bëhet me zgjedhjet e 13 tetorit, prapë do merrni dekret për t'i shtyrë? Të gjitha çfarë thatë i keni me rezerva se ju duhet të jeni mbi palët. Ju i shërbyet një pale dhe ata nuk erdhën, ne i bëmë zgjedhjet, dhe ata prapë thonë se nuk do vinë me 13 tetor? Po nëse qeveria do merrte një vendim dhe do thoshte do shkarkoj presidentin? Do e zbatonte presidenti vendimin e qeverisë?

Ilir Meta: Kam marrë vesh nga mediat që keni ndonjë perceptim sikur kam ndonjë problem personal me ju, në këtë drejtim dua të siguroj që nuk ekziston asnjë shqetësim i tillë, përkundrazi ju keni qenë i preferuar nga ana ime.

Detyra juaj jua kërkon të bëni pyetjen dhe vlerësimin tuaj dhe ju jeni në pozitë komode për ta bërë. Më duhet të kujtoj si koleg i vjetër se edhe kur kam qenë palë, edhe kryetar kuvendi edhe kryetar i një partie që ka qenë në koalicion me ju, për çështjet madhore kam qëndruar mbi palët. Dhe shembulli më i qartë ka qenë reforma në drejtësi, që kurrë nuk do të ndodhte nëse nuk do të isha mbi palët. E bëra sepse e dija që ishte e vetmja mënyrë që Shqipëria të merrte rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në që e mori atëherë dhe që kam frikë se ky rekomandim do të mbetet vetë rekomandim për një kohë të gjatë.