Fino përplaset me kreun e KPA te 'Ligjet': Ju kemi dhënë paga si askujt tjetër, doni dhe shpërblim! Punën keni bërë

10 Nëntor 2020, 18:55

TIRANË- I ashpër ka qenë deputeti socialist, Bashkim Fino në Komisionin e Ligjeve, pas kërkesës së bërë nga kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), Albana Shtylla për rritje të stafit dhe shpërblime. Një gjë e tillë për Finon nuk është aspak normale, pasi njerëzit të Vettingut janë ndër më të paguarit në Shqipëri.

Ai i është drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj që të mos pranojë që të japë shpërblim, pasi sipas tij, kanë bërë punën që u takon.

“Ju keni kërkuar që kur ikën një kryetar, ajo nuk ikën nga puna por është atje anëtare, si cdo anëtare e KPA. Ju thoni ajo kryetarja që iku të marri dy paga shpërblim. Po çjanë gjithë këto shpërblime kryetar. Si ka mundësi që këta njerëzit e vettingut, që ne u kemi dhënë të gjitha si askush tjetër, kërkojnë më shumë para.

Unë do i thoja ministres së Financave të mos jap shpërblim në asnjë mënyrë. Nëse ka bërë detyrën për tre vite shumë mirë ka bërë, punën ka bërë. Të gjitha paratë dalin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe janë të tepërta. Investimet në KPA janë mëse të mjaftueshme për të vijuar aktivitetin e saj, dhe nuk jam dakord që të shtohen këshilltarët. 43 veta janë mëse të mjaftueshëm”, tha Fino.

Ndërkohë, në kryetarja e KPA u përgjigj duke thënë se KPA nuk ka bërë asnjëherë shpenzime të tepërta.

“Organet do zbatojnë ligjin dhe jo intepretimin e njerëzve që për mua duhet të jenë të lidhura me dispozitat ligjore. Kolegji ka qenë jashtëzakonisht i përgjegjshëm me shpenzimet. Asnjëherë nuk ka pasur shpenzime të tepërta. Ne s’kemi tre vite që marrim vendime. Vendimi i parë është i qershorit 2018. Dhe gjatë periudhës së pandemisë kemi punuar dhe sapo jemi kthyer në punë kemi dhënë 20 vendime. Dhe atë shpërblimin që na i përmendni përherë kur vijmë në Komision, nuk i jepet Albanës ajo, por procesit te vettingut”, ka thënë kryetarja e KPA Albana Shtylla.