Firmat private larguan 27 mijë punonjës në pandemi! ISSH: Nga sistemi dolën 56 mijë persona

4 Shtator 2020, 19:06

Në gjashtë muaj numri i kontribuuesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, si pasojë e pandemisë COVID-19 ra ndjeshëm. Nga fillimi i vitit deri ne qershor mbi 56 mijë persona nuk figurojnë më të siguruar.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në fund të qershorit numri i kontribuuesve ishte vetëm 673 mijë e 317 persona nga 729 mijë e 816 qytetarë që ishin në fund të vitit të kaluar.

Vetëm nga firmat private janë hequr nga puna rreth 27 mijë të siguruar. Ndikimi i pandemisë është i dukshëm, pasi goditja më e madhe vihet re tek të vetë-punësuarit, ku sipas statistikave janë të papunë mbi 6 mijë të tillë.

Kësaj shifre tashmë i shtohen edhe rreth 18 mijë të vetëpunësuar në bujqësi që nga janari në qershor kanë dalë nga sistemi i kontributeve. Po ashtu janë rreth 2 mijë e 371 të siguruar vullnetarisht më pak në sistem se në fund të 2019. Këto janë largimet nga puna që kanë ardhur si pasojë e pandemisë që mbërtheu vendin që në mars të këtij viti, dhe që u reflektua edhe në uljen drastike të të ardhurave.

Sipas Ministrisë së Financave në fund të qershorit numri i të larguarve ishte 87 mijë punonjës. Me 10.6 milionë euro ranë të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, në 7 muaj krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një tjetër tregues për largimet masive nga puna ishte edhe ulja e buxhetit me 56 milionë euro vetëm nga zëri i tatimit mbi të ardhurat personale që nga janari deri në fund të muajit korrik.