Firmoset marrëveshja, ja firma që do të ndërtojë HEC-in e Kalivaçit pas 20 vitesh zvarritje

13 Qershor 2018, 18:26

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ka përmbyllur negocimin dhe nënshkruar kontratën me subjektin fitues të garës për ndërtimin, operimin dhe transferimin me koncesion të hidrocentralit të Kalivaçit.

Shpallja e kompanisë fituese në këtë garë u krye në fund të muajit Tetor 2017 dhe gjatë muajve pasues është kryer negocimi i termave të kontratës dhe tanimë nënshkrimi i saj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se konsorciumi fitues “Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive ‘Ayen Enerji’ dhe ‘Fusha’ shpk parashikohet të kryejë një investim në vlerë të përgjithshme prej 125,287,800 Euro.

Kompania ‘Fusha’ shpk është e specializuar në fushën e ndërtimeve ku ndër më të fundit ndërtimi sheshit Skënderbej. Ndërsa kompania tjetër ‘Ayen Enerji’ me seli në Turqi është e specializuar në fushën e energjetikes me investime në këtë sektor edhe në Slloven i dhe Serbi.

Fuqia e instaluar e përcaktuar me prurjen llogaritëse është 111,000 KW, prodhimi vjetor i energjisë elektrike mbi 366 milion KWH ndërsa koha e zbatimit të punimeve për realizimin e veprës 30 muaj.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përmbyllja me sukses e procedurës i hap rrugën tanimë konkretizimit të një prej veprave më të rëndësishme hidroenergjetike në vend, e lënë pezull prej shumë vitesh.