Grupi "Hyatt Hotels Corporations" dhe grupi "Kastrati" kanë nënshkruar paraditen e sotme marrëveshjen e menaxhimit për celjen e hotelit të parë me 5 yje në vend, “Hayatt Regency and Residences”. Kjo marrëveshje sjell për hërë të parë në Tiranë eksperiencën menaxheriale të brandit ndërkombëtar në fushën e hotelerisë dhe turizmit elitar.
Marrëveshja është firmosur midis Zv. Presidentit të "Hyatt Hotels Corporation" Takuya Aoyama dhe presidentit të grupit "Kastrati", Shefqet Kastrati. Duke sjellë eksperiencën menaxheriale në fushën e hotelerisë nga brandi ndërkombëtar, kjo marrëveshje ofron edhe cilësi maksimale shërbimi nga profesionistë e standarte të reja në fushën e hotelerisë.
Zv. Presidenti i grupit "Kastrati", Leonard Kastrati e cilësoi këtë partneritet si një vlerë të shtuar për Shqipërinë dhe shtoi se zgjedhja e "Hayatt Hotel Corporations" nuk është e rastësishme.
Kastrati Group nis një rrugëtim të gjatë me një nga brandet më të njohura ndërkombëtare të menaxhimit të hoteleve luksoze. Ndërsa për Shqipërinë, ky partneritet do të jetë një vlerë e shtuar dhe një prezantim edhe më dinjitoz. Zgjedhja e Hayatt nuk është e rastësishme; është një përputhje e filozofive tona për të bërë biznes. Ne kemi gati projektin për zgjerimin e kapacitetit të hotelit ekzistues dhe zhvillimin e vilave, në krah të hotelit, një projekt modern dhe bashkëkohor i ideuar nga Hayatt Hotel Corperation.
Leonard Kastrati, Zv. President i grupit "Kastrati"
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së menaxhimit "Hayatt Regency and Residences”, kanë folur për rëndësinë në vend të hoteleve me pesë yje edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizimit Blendi Klosi.
Hotelet dhe resortet me 5 yje janë elita e një industrie, jo thjesht sepse ofrojnë kushte shumë herë më të mira sesa nivelet e tjera, por sepse sjellin dhe shumë më tepër të ardhura. Mbështetja e hoteleve me 5 yje është pjesë e strategjisë së rritjes së kësaj industrie, në funksion të rritjes ekonomike dhe punësimit.
Edi Rama, Kryeministri i vendit
Ofrimi i brandeve më të mira të hotelerisë ndërkombëtare është ofruese e besimit se Shqipëria i ka të gjitha potencialet e vërteta për t'u shndërruar në një destinacion turistik evropian.
Blendi Klosi, Ministri i Turizmit
Zv. Presidenti i "Hyatt Corporations" premtoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë një histori suksesi.
Ne nga Hyatt firmosim shumë kontrata gjatë viteve , por që të kemi mundësi të shkojmë në një vend kaq unik sa Shqipëria është një rast shumë I veccantë. Ky është një vend me një natyrë madhështore e trashëgimi kulturore unike. Unë dua të premtoj se kur të hapet Hyatt Regency do të jetë një histori suksesi jo vetëm për Tiranën por edhe për miqtë tanë që do të punojnë me ne.
Takuya Aoyama, Zv. Presidenti i "Hyatt Hotel Corporations"
Hoteli luksoz me 150 dhoma, bare , restorante e sallën më të madhe të eventeve do të ofrojë kapacitete edhe më të mëdha se më parë duke sjellë risi në turizmin elitar të vendin tonë.