'Firojnë' edhe 6 kandidatë nga PD dhe LSI, Karamelo: Dorëheqja antiligjore

5 Mars 2019, 16:02

Ashtu siç pritej, të tjerë kandidatë nga listat e partive opozitare, kanë hedhur hapin e parë për të pranuar mandatin e deputetit, pas djegies së mandateve nga ana e opozitës së bashkuar.

Sot, pesë kandidatë, kanë paraqitur në Komisionin qendror të Zgjedhjeve, formularët e vetëdeklarimi. Pas verifikimit të tyre, nëse janë të përshtatshëm, KQZ do tu kalojë mandatin e deputetit.

Sot dorëzuan formularët, Ediola Braha nga lista e LSI-së në Gjirokastër, Ligoraq Karamelo nga PD në Korçës, Elda Hoti nga lista e kandidatëve të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, në Lezhë, dhe Edlira Hyseni e LSI në Durrës, dhe Majlinda Halilaj nga listat e PD-së.

Ligoraq Karamelo ka deklaruar se e ka pranuar mandatin e deputetit pasi e konsideron antiligjor vendimin e dorëheqjes. Ai tha se ky vendim ishte vendimi i strukturave dhe theskoi se do vazhdojë të jetë kundër qeverisë.

Ndërsa ditën e djeshme, dorëzoi formularin e vetëdeklarimit në KQZ, Lefter Maliqi, nga lista e PD-së në qarkun e Beratit.

Rudina Hajdari, deri më tani ka dalë kundër vendimit të PD-së, dhe nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, siç bëri opozita e bashkuar, duke ju bashkuar kolegëve, Myslim Murrizi po nga PD, dhe Lefter Koka i LSI, që nuk dogjën mandatin.

Procedura e emërimit të kandidatëve të listës në postin e deputetit

Deri më tani katër kandidatë nga lista e LSI-së pranuan të ulen në Kuvend në karriget e lëna bosh nga kolegët e tyre pas dorëheqjes së opozitës dhe sot u betuan në Kuvend si deputetë të rinj të opozitës..

Komisioni i Zgjedhjeve do të vijojë të kontaktojë dhe njoftojë të gjithë kandidatët në lista për tërheqjen e mandatit, dhe nga ky njoftim ata kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.

Sipas ligjit, ata përjashtohen vetëm kur përmbushet kjo procedurë, dhe këtu vihet në pikëpyetje nëse KQZ do të pranojë në bllok dorëheqje kandidatësh, siç PD ka dorëzuar dy ditë më parë dosjen me dorëheqje kandidatësh nga listat e PD, ende pa u shkuar thirrja nga KQZ.

 KQZ pret 10 ditë deri në momentin e dorëzimit të formularëve nga ana e kandidatëve, edhe në rast të mosdorëzimit të formularit, atëherë quhet refuzim i mandatit dhe rinisin njoftimet për kandidatët pasues në lista, deri në përfundim të të gjithë emrave në lista.

    No videos found.