Fiskalizimi, Denaj: Janari i 2020 për transaksionet mes bizneseve dhe konsumatorit mund të shtyhe

29 Gusht 2019, 12:07 | Përditesimi: 29 Gusht 2019, 12:07

TIRANE-Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Investimeve se janari i 2020 i vendosur si afat për nisjen e raportimit në kohë reale në administratën tatimore të të gjitha transaksioneve midis bizneseve dhe konsumatorit në kuadër të luftës kundër informalitetit mund të negociohet pas dyshimeve që janë ngritur. Ministrja theksoi se konsultimi i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” me grupet e interesit do të shtyhet deri në 15 shtator.

"Ne kemi marrë një nisëm për konsultimin e projektligjit, që të shtyhet deri në 15 shtator për marrjen e mendimeve. Projektligji do të finalizohet deri në 2021. Në 2021 të gjitha faturat do të jenë elektronike. Janari 2020 është komentuar si proces dyshues. Ne do të shikojmë arsyet për ta negociuar" tha ajo.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi sqaroi edhe cështjet kryesore që prek projektligji i ri. "Dy cështjet kryesore dhe sistemi informatik janë mosraportimi i te ardhurave dhe zbritja mbi nivelet e përcakuara ligjore të TVSH. Kontrolli i transaksioneve me parave në dorë, synohet fiskalizimi i tyre dhe fiskalizimi i transaksioneve pa para në dorë".  

Projekti parashikon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

b.ha./Shqiptarja.com