Fitorja detyrim, Kombëtarja me ndryshime ndaj San Marinos, Kosova sfidon Spanjën

31 Mars 2021, 14:19

Me detyrimin për të fituar Kombëtarja luan sonte duke nisur nga ora 20:45 në San Marino. Kuqezinjve nuk u lejohet asnjë hap fals ndaj rivalit modest me nivel amator që në renditjen e FIFA-s mban vendin e fundit. Shqipëria përballet për herë të parë me San Marinon në ndeshje zyrtare ndërsa të dyja miqësoret e zhvilluara deri tani kuqezinjtë i kanë fituar. Për shkak të dëmtimeve trajneri Edy Reja pritet të bëjë disa ndryshime në formacion.

Edhe në konferencë italiani e ka shpallur që në portë do jetë Strakosha e jo Berisha ndërsa mbrojtësi Ismajli është në dyshim dhe Hysaj mund të luajë në treshen e mbrojtjes së bashku me Gjimshitin e Ajetin ose Veselin. Në mesfushë i sigurt është aktivizimi i Bares e Laçit në qëndër ndërsa titullarë priten edhe Roshi, Lenjani e Çokaj.Në sulm Cikalleshi do jetë titullar dhe në krah të tij do jetë Manaj ose Uzuni. Pra Kombëtarja do bëjë ndryshime në çdo repart por objektivi mbetet i njëJtë. Ndaj një rivali si San Marino tre pikët janë detyrim.Ndërkaq në grupin B kualifikues Kosova sfidon gjigandët e Spanjës në Sevilla. Dardanët e humbën ndeshjen e parë ndaj Suedisë dhe do të kërkojnë të bëjnë surprizën megjithëse është shumë shumë e vështirë. Spanja nuk e njeh Kosovën dhe në konferencën e trajnerit Challandes menaxheri i ekipit e ka detyruar një gazetar spanjoll që të përmendë emrin Kosovë. Moment ky që bëri xhiron në rrjet. Spanjë-Kosovë nis në 20:45./Përgatiti Andi Kapxhiu