TIRANË - Një mision që do të mbetet në kujtesë ndër vite. Me një fjalim mjaft prekës komandanti i forcave zjarrfikëse që erdhën nga Italia për operacionet e kërkim shpëtimit të qytetarëve shqiptarë që mbetën nën rrënoja në godinat e shembura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, falenderon të gjithë ata që rrezikun jetën e tyre në këtë mision jashtë atdheut të tyre. Për mua jeni Italia, thotë komandanti, teksa i falenderon të gjithë për punën e tyre, solidaritetin dhe profesionalizmin e duhur. Duke cituar kryeministrin Edi Rama, ai thotë se i dhanë shpresë shqiptarëve, por edhe vetë të rinjve që duan t'i bashkohen forcave zjarrfikëse se sa e rëndësishme është të shpëtosh jetë dhe të marrësh pjesë në operacione kaq të vështira ku duhet të nxjerrësh nga gërmadhat edhe jetë të humbura.
"Për mua jeni Italia, treguam të jemi të rëndësishëm, profesionistë. Dhamë imazhin më të mirë të shtetit tonë jashtë vendit. Ju falenderoj, sepse nuk mund të ishte meritë e imja, është merita juaj, punuat pa një moment pushimi, kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme, do ju mbaj gjithmonë në kujtimet e mia. Pashë se si i përballuar situatat. Objektivi ynë është tu tregojmë atyre që nuk ishin që mund të bëhen këto gjëra", thotë ndër të tjera komandanti Giuseppe Bennardo teksa ekipi ka mbërritur në Itali.