Flet deputeti ‘rebel’ që pranoi mandatin: LSI iu largua misionit për të cilin u krijua

12 Mars 2019, 12:58

Deputeti më i ri i Kuvendit Enver Roshi rrëfen për Report Tv arsyet se përse pranoi mandatin e deputetit dhe marrëdhënien me LSI-në.

Ai është shprehur se vendimin e mori pas konsultimeve me miqtë ndërkombëtar, ndërsa thekson se vota e tij do të shërbejë për miratimin e Reformave që sjellin integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Sipas deputetit Roshi, LSI iu largua objektivit për të cilin u krijua, integrimin e vendit, ndërkohë që për sa i përket situatës politike, ai thekson se është pikërisht mungesa e dialogut, dhe politika e rrugës që e ka lënë vendin në këtë gjendje, duke rrezikuar negociatat.

Intervista

Keni marrë mandatin e deputetit, ishte e vështirë të dilnit kundër LSI-së dhe çfarë ju shtyu të merrnit këtë vendim?

Ka qenë një moment i vështirë për marrjen e mandatit, por besoj se mora një vendim intelektual dhe qytetar për ti shërbyer vendit atdheut dhe shqiptarëve. Kjo ishte një vendimmarrje e bazuar në profilin tim intelektual por në zbatim të detyrave kushtetuese.

Ka pasur presion nga LSI për të firmosur mos pranimin e mandateve siç bënë edhe kandidatët e tjerë?

Presione jo, por ka pasur sugjerime, rekomandime, por jo në trajtën e presioneve. Në vlerësimin tim, pavarësisht nga situata që ndodhi, njerëzit e LSI mbeten miqtë e mi, pavarësisht divergjencave që u shfaqën muajt e fundit me dorëzimin e mandateve. Kam qenë kundër djegies së mandateve nga deputetët e LSI dhe PD-së.

Kishte kohë që flitej për djegien e mandateve,  e diskutoi LSI me kryesinë apo bazën?

Nuk ka qenë e diskutuar gjerësisht me bazën, mendoj se ka qenë një veprim i nxituar dhe jo në shërbim të qytetarëve.

Para se të vendosni marrjen e mandatit, ju kanë kontaktuar nga PS, apo nga ndërkombëtarët?

Unë nuk kam asnjë kontakt nga PS-ja, qëndrimin tim e mora në përputhje me investimin tim intelektual, i cili është bërë në perëndim, në SHBA dhe në Izrael dhe nga kontaktet e mia me ndërkombëtarët dhe miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, të cilat duan ta shohin Shqipërinë në Europë si SHBA, Komuniteti Europian dhe fuqitë perëndimore si Anglia, Franca, Gjermania, etj. Mesazhet e dhëna të këtyre eurodeputetëve në drejtim të politikës Shqiptare kanë qenë mesazhe nxitëse për mua.

Ju u betuat në Parlament ka pasur presion nga LSI, pasi ju etiketoi si 'tradhtarë'?

Ky termi tradhtar besoj se nuk shkon dhe unë nuk jam një partiak fanatik, jam një atdhetar fanatik dhe qëndrimi im është në interes të kombit shqiptar. Të mos harrojmë se ke 550 vjet që thërrasim Europa dhe kjo ëndërr për të qenë në Europë dhe kur Komuniteti Europian e do Shqipërinë në Europë, është një pjesë e politikës shqiptare që nuk e do Shqipërinë në Europë. Unë jam një nga 95% e shqiptarëve që e duan Shqipërinë në Europë. Dhe unë jam në përputhje me ëndrrën dhe dëshirën e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë në Europë.