TIRANË - Për herë të parë pasi u lirua nga Gjykata e Përmetit me masë sigurie "detyrim paraqitje" për disa akuza, botuesi i njohur dhe pronari i UET-së Henri Çili, foli publikisht në një konferencë për mediat, ku mohoi që të ketë takuar ndonjëherë gjyqtar apo funksionar të lartë të drejtësisë, për të ndikuar në çështje që studio ligjore që ai ka në pronësi kishte marrë përsipër të zgjidhte.
Henri Çili tha se i mbetet prokurorisë barra e provës për takimin e pretenduar mes tij dhe drejtuesit të një organi të lartë të drejtësisë, ku organi i akuzës pretendon se funksionari i ka premtuar Çilit që dy çështjet që ai kishte në dorë, do të ishin në 50 dosjet e para për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kur ajo të ngrihej. Ma nxirrni këtë provë dhe do jap përgjigjen tim, - theksoi Henri Çili
Çili, pronar me 75% të aksioneve në studion ligjore "Legal Studio", tha se ka takuar gjyqtarë e funksionarë të drejtësisë për shkak të pozitave të tij shoqërore si botues i njohur, por se asnjëherë nuk ka ushtruar ndikim tek ta.
Pronari i Universitetit Europian të Tiranës pranoi se ka marrë dy apartamente dhuratë në Velipojë nga biznesmeni shkodran Sait Fishta, por tha se gjithçka është e ligjshme. Ai shtoi se për pronat ka paguar taksën 15% të vlerës së apartamenteve tek të cilat do të investonte për projekte sociale në kuadër të UET-së. Kontaktet me biznesmenin, Çili pranoi se i ka lidhur nga Adil Aliko, babai i Arbjon Alikos, të dënuar përjetë për vrasjen e policit Ibrahim Basha në 2015-ën në Lazarat.
Henri Çili sqaroi dy dosjet e marra nga studio e tij ligjore.
Feti Yzeiraj i dënuar me burg përjetë për vrasje, ishte çështje emergjence pasi duhej kapur afati ligjor që vendimit të Apelit t'i bëhej rekurs në Gjykatën e Lartë. Ndërsa për çështjen e Arbjon Alikos, Henri Çili tha se ishte ende në fazë negociatash me familjarët e tij dhe se nuk ishte firmosur kontrata. Edhe pse studio e tij nuk kishte caktuar ende listën e kostove që do të kishin shërbimet ndaj klientëve, gazetari i Report Tv, Arsen Rusta e pyeti botuesin nëse janë të vërteta se Adil Alikos i është kërkuar 1 milionë euro për çështjen, që siç thuhej në dosjen hetimore u negociua deri në zbritjen e në 750 mijë euro. Ai nuk e mohoi këtë fakt, por tha se gjtihçka ka qenë në nivel negociatash e diskutimesh, pasi dosja e Arbjon Alikos ka 13 të pandehur dhe ka aq dokumente sa mund të mbushin një kamion siç Çili u përpoq të argumentojë vlerën e madhe që mund të jetë kërkuar.