Flet pedagogu që u largua nga një grup studentësh: U dhunova, PD të tërheqë eksponentët, po përçan protestën

9 Dhjetor 2018, 12:13

Pedagogu Jani Marka ka folur pas incidentit në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Ai ka akuzuar për dhunë ndaj tij, ndërsa i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të tërheqë eksponentët që sipas tij po përçajnë tubimin dhe e kanë dhunuar. “Unë jam pedagog. Në 1992 kam qenë 12 vite, nga ajo ditë deri sot mund të kem ndërruar disa herë bindjet, por duke u pjekur forcohen idealet.

Unë kam shumë ideale, por ajo që nuk është partiake, është ajo që kanë studentët. Arsim cilësor. Studentëve u duhet të paguajnë 2 mln lekë tarifë. Unë doja të flisja kundër dhunës. Kjo ishte e paparashikueshme, kjo protestë u ka dhënë shpresë shqiptarëve. Po ushtrohet dhunë e vazhdueshme ndaj nesh. Janë hedhur mbi ne sulme të jashtëzakonshme. Na akuzojnë se jemi pjesë e një organizate tjetër, jam krenar që jam pjesë e saj. Unë kam protestuar kundër Veliajt, ndërsa na akuzojnë se jemi vegël e tij. 

Unë jam dhunuar dhe dola të flas atje kundër dhunës. Na akuzojnë për përçarje, por do ta merrni vesh ku janë. Forumet partiake po përçajnë protestën, por ne do i demaskojmë. Janë këtu forumet e tyre, partitë. Pse nuk më lanë të flisja, çfarë kam bërë, çfarë kam bërë unë, çfarë dëmi i kam sjellë që zbohem? Do të flisja për problemet e universitetit. Ne nuk jemi parti. Kemi katër vite si lëvizje për Universitetin, kemi qëllim vetëm universitetin. Protesta uroj që të vijojë, dhe ftoj PD që të tërheqë eksponentët nga protesta” tha ai.