Flet stërmbesa: Si e përjetova burgun dhe internimin e Musine Kokalarit

Linda Kokalari, mbesa e Vesim Kokalarit, njërit prej dy vëllezërve të  Musine Kokalarit, që u pushkatuan pa gjyq nga komunistët gjatë luftës së Tiranës, përshkruan tragjedinë e njërës prej familjeve më të mëdha intelektuale në Gjirokastër. Vëllai tjetër i Musine Kokalarit që u pushkatua quhej Mumtaz Kokalari. Linda qëndron tek kalvari i Musine Kokalarit. Rrëfen se Musine Kokalari lindi dhe u rrit në një familje të pasur, ku nuk i kishte munguar kurrë asgjë. Mbi të gjitha nuk i kishte munguar kurrë dashuria e prindërve e vëllezërve. Musine KOkalri kishte lindur në Adana të Turqisë më 10 shkurt të vitit 1917, “Stërgjyshi im ishte jurist dhe në atë kohë punonte si kryetar i gjykatës së Adanasë.

Për këtë arsye dy djemtë e mëdhenj Vesimi dhe Mumtazi i mbaruan universitetet në Turqi. Mumtaz Kokalari u bë dhe ai jurist si i ati. Pasi u kthyen në Shqipëri, vëllai më i vogël Hamiti shkoi të studionte në Paris për diplomaci e Musineja studio në Romë për letërsi dhe arte të bukura. Studionte për letërsi (kjo ishte ëndrra e saj) se asaj i pëlqente shumë të shkruante dhe të lexonte. Musineja humbiste në lexim për orë të tëra dhe vetëm kur dëgjonte anenë që  e thërret, kujtohet që  ka shkuar në dhomën e saj për të rregulluar krevatin dhe jo për të lexuar. Musineja ka kaluar katër vjet të jetës së saj në Rome, katër vjet që  do t’i përshkruajë në librin e saj “La mia vita universitaria”.

U diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1943.”, -kujton stërmbesa Linda Kokalari.  Kur kthehet në Shqipëri pas studimeve, vëllai i Musinesë,  gjyshi i Lindës Vesimi, ndër të tjera i propozoi të drejtonte botimin e librave në shtëpinë botuese që ai kishte themeluar “Mesagjeritë Shqiptare”, që  ishte shtëpia e pare botuese në Shqipëri. “Vesimi ishte një burrë inteligjent me një kulturë të gjerë dhe një sipërmarrës shumë i suksesshëm. Ai e dinte që  askush nuk e njihte  librin më mirë se e motra, po nga ana tjetër e dinte mirë sa pak rëndësi kishte paraja për të, prandaj e kishte porositur - do të drejtosh përzgjedhjen dhe botimin e librave. Nuk pres ndonjë fitim prej teje, por ama nuk dua të dëgjoj për humbje. Musineja ishte e kënaqur. “- Do Zoti e bënte” – shkruante ajo në ditarin e saj”, rrëfen Linda

Mbrojtja e Musine Kokalarit në gjyqin para popullit
Linda Kokalri rrëfen skenën tragjike të gjyqit. “Për të kuptuar më mirë çfarë i ndodhi Musine Kokalarit. “Publiku pas saj është i përberë komplet nga njerëz me uniforma dhe jashtë sallës së gjyqit turma bërtet “me vdekje në litar”.  E megjithatë ajo i shikon ata drejt në sy pa frikë. Kur gjykatësi i thotë: “E dëgjon popullin se çfarë thotë për ty?” - ajo me qetësi dhe në mënyrë shumë profetike përgjigjet – “ajo është turmë, e turma sot bërtet për mua, ndërsa nesër mund të bërtasë për ty”. 

E dinte fare mirë që  mund ta vrisnin, sepse përballë kishte po ato mostra që  vetëm para 1 viti i kishin pushkatuar pa gjyq e pa shkak dy vëllezërit. Ishte vetëm 27 vjeç, e bukur, e shkolluar, e edukuar, e emancipuar, kishte bindjet e saj politike të ndryshme nga ato komuniste. 
Në fjalën e mbrojtjes që ajo kishte shkruar, po që nuk e lejuan ta lexonte, thotë: Unë nuk jam komuniste, por ky nuk është faj dhe ju nuk keni të drejtë të më dënoni për këtë. Pas këtij gjyqi kjo vajzë e re do ta kalonte jetën e saj në burg e internim mes torturash e vuajtjesh, pa u përkulur asnjëherë, pa kërkuar falje apo mëshirë. Në vizitat që i kanë bërë herë pas here hierarkët komunistë i është thënë: “-E shikon Musine sesi e kemi bërë ne Shqipërinë, si thua tani kush kishte të drejtë, ti apo ne?. Ajo përgjigjet: “- Nuk di të them, unë jam këtu brenda dhe nuk e kam parë se çfarë keni bërë ju. I nxehur ai përgjigjet: “- Ti je një armike e betuar, ti do vrarë. Duhet të të kishim vrarë që në fillim!”. Ajo përgjigjet: “-Ju në dorë e keni, mund të më vrisni dhe tani”.
Ne letrën që  i çon Ministrisë se Brendshme ku kërkon lirimin me kusht, pasi ka kaluar gjysmën e dënimit, ajo nuk lutet, po thjesht iu referohet ligjeve që janë në fuqi. Nuk lirohet nga burgu sigurisht, me pretekstin se nuk ka pasur sjellje të mirë në burg (ka bërë propagandë antikomuniste). U shkroi përsëri, për të thënë që ju nuk mund të thoni që  unë jam sjellë keq në burg, pasi “unë nuk kam marrë asnjëherë vërejtje nga drejtoria e burgut”. 

Kur Musineja del nga burgu, nuk e lejojnë të kthehet tek familja në Tiranë, por internohet direkt  në Rrëshen. Aneja shkon të jetojë me të në internim. Ajo plakë e vogël që  duket kaq e brishtë në fotografi e mbajti gjithë atë goditje: i pushkatuan dy djemtë, i burgosën vajzën e vetme dhe për 16 vjet e pa atë vetëm përmes hekurave të burgut. Pa nuset, nipin, mbesat, të shkonin nga një bodrum në tjetrin me plaçka në krahë e megjithatë duroi e priti derisa të shikonte e të jetonte edhe njëherë me të bijën. Ndoshta forca e Mulinesë trashëgohet pak edhe nga e ëma. Aneja vdiq në Tirane, kur kishte ardhur nga Rrësheni të takonte pjesën tjetër të familjes. Musineja erdhi të varroste të ëmen dhe kur hyri në dhomë, pa derdhur asnjë pike loti i tha: “- Ti moj Ane sot nuk ke hidhëruar vetëm këto zonja që po qajnë rreth teje, ti sot do të hidhërosh dhe baltën ku do futesh - e bija e dinte se sa e madhe ishte dhimbja që kjo plakë po merrte me vete.
Unë e kam takuar Musinene pak. E kam takuar kur isha fëmijë dhe ajo vinte në bodrumin në të cilin kemi jetuar deri në moshën 10 vjeç. Më kujtohet që kur vinte dikush që  nuk duhet ta shikonte, ajo futej në juk. Juk, gjirokastritët i thonë qoshes në të cilën radhiten jorganët dhe dyshekët. Aty ishte vendi ku unë dhe im vëlla fshiheshim kur luanim dhe na dukej çudi që një i rritur fshihej si ne. Një herë kur e pyeta gjyshen, pse halla fshihet, ajo m’u përgjigj se: “Njerëzit nuk duhet ta marrin vesh që halla ka ardhur dhe ti nuk duhet t’i thuash njeriut, se pastaj e marrin hallën dhe e fusin prapë në burg”. Dhe për ta përforcuar shtoi: “- Edhe babin”. Ideja që  një fjale e imja mund të shkaktonte një tmerr të tillë më bëri të ulesha dhe të rrija pa lëvizur nga vendi për një kohë të gjatë, duke menduar se mos vallë më kishte shpëtuar ndonjë fjalë më përpara, se që  nuk do ta thosha më mbrapa, kjo nuk diskutohej.

Por nga ana tjetër e kam njohur shumë si atë dhe gjyshin tim që s’e kam parë kurrë. I kam njohur nëpërmjet kujtimeve të gjyshes time. Pothuajse përditë ajo më tregonte për familjen tonë, për jetën e saj me gjyshin, me babanë, me anenë, me hallën e me xhaxhanë. I përsëriste kaq shumë saqë  unë nganjëherë i thosha: “Ma ke thënë nënë. Ma ke thënë 100 herë. Tani mendoj që  kam qene me fat që kam qenë pranë saj dhe kam mundur t’i njoh sadopak këta njerëz të rrallë. Por ama nuk mund të mos mendoj atë që  kam humbur. Kushedi sesa gjëra të tjera kanë bërë ose kanë shkruar dhe unë nuk i di, kushedi sesa gjëra të tjera do të kishin bërë e do të kishin shkruar, po të kishin jetuar. Kushedi sa do të kisha përfituar unë, po t’i kisha pasur pranë, kushedi sa shumë gjëra të tjera do të kisha mësuar prej tyre - kushedi sesa më e mirë do të isha. Dhe në anën tjetër duke qenë grua, jam e sigurt se nëse Musineja do kishte vazhduar rrugën që  kishte nisur, veçanërisht emancipimi i gruas në Shqipëri do kishte përfituar shumë prej saj

Autoriteti për dosjet përkujton sot në Gjirokastër Musine Kokalari
Figura shumëdimensionale e Musine Kokalarit (10 shkurt 1917-13 gusht 1983) do të përkujtohet sot nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Muzeun “Musine Kokalari” dhe Wikimedians of Albanian Language UG në aktivitetin “Gjirokastra lexon Musinenë” në Gjirokastër. Figura e saj do të përkujtohet me një simpozium të posaçëm në qytetin e saj. Simpoziumi do të hapet nga znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Me kërkesë të familjes, dosja e parë që Autoriteti hapi para dy vjetësh, në nisje të punës së tij, ishte ajo e Musine Kokalarit, e dënuar, survejuar dhe përndjekur për vite me radhë. Me pjesëmarrjen e Zamira Ramit, Kryetare e Bashkisë Gjirokastër dhe studiueses Fiona Todhri do të flitet gjerësisht për gratë e dënuara politike gjatë regjimit komunist, mestë cilave, MusineKokalari, të cilat hodhën themelet dhe tentuan krijimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Pritet të vijojnë aktivitet ë shumta gjatë ditës, sipas një njoftimi zyrtar të Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shteti