Fluks kërkesash për shtëpi me qira në Tiranë, banorët e trembur nga tërmeti duan vetëm katet e para

9 Dhjetor 2019, 14:58

TIRANË - Rreth dy javë pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë dhe që shkatërroi me dhjetëra banesa e me mijëra u dëmtuan, janë rritur ndjeshëm kërkesat për apartamente dhe shtëpi me qira në Tiranë.  Ndryshe nga më parë qytetarët kryesisht nga Durrësi dhe Thumana, kërkojnë shtëpi private ose apartamente në katet e para.

“Kemi goxha kërkesa duke u nisur edhe nga rënia e tërmetit, kemi edhe rritje. Shumica e kërkesave vijnë nga zonat e prekura që nuk janë banor të Tiranës, vijnë të largohen nga atje. Kërkesat vijnë kryesisht për shpi private, por jo për vila luksoze si dhe kërkojnë katet e ulëta”, - thekson Ervin Demirxhiu.

Agjenti imobilar Ervin Demirxhiu thotë se pas tërmetit 6.4 të shkallës rihter shumë kontrata janë prishur pasi klientët tashmë nuk duan katet e larta, kjo për shkak edhe të panikut të krijuar.

Preferohen shumë katet e ulëta. Kemi kontrata të mbyllura me katet e larta, dhe pas tërmetit janë prishur kontratat për shkak të lartësisë. Kanë preferuar ta prishin kontratën pasi apartamentet ishin lartë”, - deklaroi agjenti Imobilar.

Demirxhiu, shprehet se nuk ka luhatje të ndjeshme në çmime, por kërkesat që vijnë nga qytetarët janë shumë më të ulëta nga ato çmime që ofron realisht tregu. Kjo sipas tij edhe për shkak se të dyja palët ishin të papërgatitura për këtë situatë.

Kemi një ngërç midis kërkesës dhe ofertës, sepse ato ishin të papërgatitur dhe vijnë me një çmim të ulët për atë që mund të përballojnë, dhe pastaj kemi ofertat që realisht janë goxha lartë. Çmimet për shpi private deri në 300-400 euro, pastaj për vilat më modern janë tjetër nivel”, tha ai.

Po ashtu nga ana tjetër qytetarët janë tepër dyshues sa i takon shtëpisë apo apartamentit që do të marrin me qira, për këtë arsye sipas agjentit imobilar shpesh ata kërkojnë të kryhet edhe një herë kontrolli nga inxhinieri i ndërtimit.