'Fluturojnë' 217 patenta në 24 orët e fundit, policia gjobit 593 qytetarë, Ahmeti: Respektoni oraret

16 Prill 2020, 17:43

TIRANË- Droni dhe aplikimi i orarit të zgjeruar të lëvizjes ka sjellë sërish numër të lartë ndëshkimesh për këmbësorët dhe shoferët që thyen rregullat e karantinës . Kështu në 24 orët e fundit policia ka ndërmarrë 593 gjoba për këmbësorët dhe ka ndëshkuar 217 shoferë. Lidhur me numrin e lartë të masave të ndërmarra kreu i policisë rrugore të Tiranës, Erjon Ahmeti në një prononcim për Report TV iu drejtua me një apel qytetarëve.

"Dua t'i porosis të gjithë shoferëve, të respektojnë fashat e orareve, të gjitha autorizimet nga Policia e Shtetit duhet respektuar fasha e orarit. Ato janë autorizime për të shkuar nga puna në shtëpi, dhe jo për të lëvizur gjatë gjithë ditës", tha Ahmeti.

Ndërsa sa i takon numrit të lartë të shoferëve të ndëshkuar në 48 orët e fundit, ai shprehet se pjesë e tyre janë dhe drejtuesit e automjeteve të autorizuar por që qarkullonin përtej 2 fashave të përcaktuara për lëvizjen e automjeteve.

"Të gjithë drejtuesit e mjeteve që do qarkullojnë jashtë fashave orare në lëvizje të pa argumentuar, të gjithë do të ndëshkohen dhe do të mbajnë përgjegjësi administrative", tha Ahmeti për Report Tv.

217 shoferët u ndëshkuan me pezullim leje drejtimi për 3 vite dhe bllokim automjeti ndërsa 593 këmbësorët u ndëshkuan me 10.000 lekë secili.

Ndërkohë gjobitjes nuk i shpëtuan as 11 administratorë lokalesh që u gjobitën me 100.000 lekë pasi vijonin të mbanin të hapur aktivitetin e tyre në kundërshtim me aktin normative si dhe u procedua një administrator në Dhërmi pasi zhvillonte aktivitetin  pa dokumentacionin e nevojshëm.