FMN kundër tre nismave të qeverisë: Jo amnisti fiskale, rrezik pastrimi i parave! Heqja e TVSH dhe tatim fitimit 'gërryen' të ardhurat

2 Korrik 2020, 11:58

Fondi Monetar Ndërkombëtarë ka reaguar për herë të pare zyrtarisht për heqjen e TVSH-së së tatim-fitimit për biznesin e vogël si dhe për amnistinë fiskale. Për të treja këto nisma FMN është shprehur kundër, duke i konsideruar si hapa që cenojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Pas një vizite zyrtare në fund të qershorit në Tiranë dhe që u përmbyll dje me ministren e Financave Anila Denaj, FMN ka dalë në një deklaratë zyrtare ku pohon se krijimi i fashave apo i pragjeve të TVSH-së në një nivel të partë do të gërryente bazën tatimore si dhe do të reduktonte të ardhurat. Madje kundër është edhe për heqjen e tatim-fitimit pasi sipas FMN bizneset e dëmtuara duhet të mbështeten me masa të përkohshme.Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH-në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë. Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm. Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel i cili do të duhej të  përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cenonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore", thuhet në reagim.