“Fondi për Komunitetin”, rikonstruktohet një pallat i amortizuar, kryebashkiaku Veliaj: Këtë vit prioritet ka “Qytet studenti”

9 Janar 2019, 15:07

Edhe pse në një prej zonave më të preferuara të kryeqytetit, 22 familje në rrugën “A. Z. Çajupi” në Njësinë 5 jetonin prej vitesh në një pallat të amortizuar. Por, falë “Fondit të komuniteteve”, një projekt i nismuar nga Bashkia e Tiranës, dhe bashkëpunimit mes komunitetit e administratorit të pallatit, realiteti për këta banorë ka ndryshuar tërësisht.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u njoh nga afër me transformimin e pallatit, pas aplikimit në Fondin e Komuniteteve, çka ka përmirësuar ndjeshëm edhe jetën e banorëve.

Jam shumë krenar për banorët e këtij pallati. Dikush mund të thotë: ç’punë ka kryetari i bashkisë me një pallat, Tirana ka 5 mijë pallate. Çështja është se po nuk dhamë një model, nuk kemi se si ta kopjojmë këtë që ka ndodhur me këtë pallat, në 5 mijë pallatet e tjerët të qytetit. Do të thotë, se me pak mukajet dhe bashkëpunim nga 22 familje, duke dhënë gjysmën ata dhe gjysmën bashkia, me Fondin e Komuniteteve, mund ta kthejmë një ndërtesë të degraduar 20-vjeçare me standarde të ndërtimit të rrumpallës të viteve ’90, në një shtëpi në mes të Bllokut, vlera e së cilës shkon në 2 mijë euro metri katror

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të caktojnë sa më parë administratorët e pallateve të tyre dhe përmes tij të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komuniteteve”.

Ftesa ime për banorët dhe duarartët e tjerë që duan të imitojnë atë që ndodhi me banorët në rrugën “Çajupi”, është të aplikojnë pranë bashkisë. Gjysmën e fondit Bashkia, gjysmën e fondit banorët, arrijmë t’i shtojmë deri në 30% vlerën pallatit. Siç e thanë edhe banorët, për 2-3 vjet, edhe investimi i tyre, vetëm prej veshjes me kapotë, kursen shpenzimet për energji.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

 

Ndërkaq, kryebashkiaku theksoi se krahas vëmendjes për rehabilitimin e godinave të cilat shërbejnë si objekte banimi për qytetarët e Tiranës, pjesa më e madhe e investimeve këtë vit do të shkojë për investime në “Qytetin Studenti” dhe përmirësimin e kushteve të studentëve.

Do të vazhdojmë jo vetëm me investime të tilla për qytetarët e Tiranës, ata që janë aktualë, por edhe për qytetarët e ardhshëm të Tiranës. Kështu që, pjesa më e madhe e investimeve këtë vit do të jenë në “Qytetin Studenti”. Është e vërtetë që fundvitin e kaluar i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës, dhe si në çdo punë tjetër ku vë dorë Bashkia e Tiranës, do të vëmë dorë edhe në ata që do të jenë qytetarët e ardhshëm të qytetit tonë, sepse sipas statistikave, 9 nga 10 studentë do rrinë në Tiranë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

 

Administratori i pallatit, Gojart Salja, vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës, e cila jo vetëm ka përmirësuar kushtet e jetës për banorët e këtij pallati, por edhe ka ulur shpenzimet për ngrohje.

Në 20 vjet ky pallat s’ka pasur asnjë lloj ndërhyrje nga ana e fasadës, plus kushtet e ndërtimit të asaj kohe kanë qenë shumë të dobëta. Kemi arritur në bashkëpunim me gjithë komunitetin që të realizonim këtë projekt. Ideja ka qenë e juaja, të cilën unë e mora e përshtata dhe ua bëra të qartë komunitetit që do t’ia ndryshojmë faqen pallatit, gjithashtu do të përfitojmë edhe nga ngrohtësia që do të na japë sistemi kapot.

Administratori i pallatit, Gojart Salja

Ndryshimi është i prekshëm për të gjithë banorët në këto ditë dimri ku temperaturat janë nën zero.

Unë kam ardhur këtu në vitin 1998, në 1 Nëntor ekzaktësisht, kanë kaluar plot 20 vjet dhe e ndjej diferencën, punimet janë cilësore. E ndjej edhe diferencën që është 4-5 gradë sidomos këto ditët e ftohta të dimrit, falenderoj edhe njëherë Bashkinë, kryetarin, administratorin tonë. Të gjithë banorët ishin shumë dakord që në fillim për të bërë këtë ndërhyrje, e cila siç e shikoni duket si një ndërtesë e re dhe jo 20 vjet përpara

Banor