Fqinja: 71-vjeçari bënte sherr, e kemi denoncuar disa herë në polici

25 Shtator 2020, 15:36

Fqinjët e tregojnë 71-vjeçarin si një njeri problematik.

"Kush e di sa herë kemi çuar denoncim në polici. Kjo është bashkëshortja e tretë më duket, s’e di.  Nuk hapej dera fare, ato rrinin brenda. Gjatë pandemisë bënte sherre gjithmonë. Dilnin çunat luanin domino, ai shaj e bërtit. Unë qëndrova brenda në banesë se kisha dy pleq. Kemi ndenjur deri në darkë sa mbaroi punë policia. E njihja si komshi", tha fqinja.

Pas 5 orësh negociata, forcat RENEA ekzekutuan 71-vjeçarin. Për fqinjin, një fund i tillë ishte i pritshëm duke parë se si kishte shkuar e gjithë rrjedha e ngjarjes, e aq më tepër pasi ishte vënë në rrezik jeta e banorëve. 

"Besoj se edhe gruaja duhet te kishte diçka, duhet të ishte më afër të kërkonte më tepër ndihmë mos të arrish deri këtu se sherri mund të përfundojë në tragjedi, kjo dihet. Ai ka qenë qiraxhi ka ardhur nga Saranda, nuk kemi pasur një shqetësim, brenda hyrjes mund të ketë pasur problemet e tona, nuk ishin të mira këto gjëra. Qe shumë e trishtueshme, e frikshme, nuk duhet të ndodhte kështu, një fund i tillë do ndodhte ashtu si po vazhdonin negociatat se nuk mund të rrezikonim jetën e njerëzve, kjo është. U bënë të gjitha negociatat, përfundimi aty do dilte, nuk kishte zgjidhje tjetër, se nuk ishte një shtëpi përdhese dhe do bëhej diçka, ishte në pallat, rrezikonin jetën e banorëve. Rendi dhe sigurua nuk është e keqe në Elbasan, por duhet punuar, të gjitha ndodhin nga fukarallëku. Kur qëlloi në drejtim të qytetarëve ishte e papranueshme, ne u tërhoqëm", tha një tjetër fqinj.

  •