Franca i jep titullin 'Oficer i Madh i Legjionit te Nderit', Ismail Kadaresë

1 Janar 2020, 14:55 | Përditesimi i fundit: 2020-01-01 17:20:13

TIRANE- Viti i ri 2020 fillon me një lajm të mirë nga Kultura.  

Shkrimtari i madh shqiptar është nderuar në Francë me titullin Oficer i Madh i Legjionit te Nderit.

Me këtë vlerësim të fundit,  pasi është nderuar edhe në vitin 2017 me titullin prestigjioz “Komandant i Legjionit të Nderit”, Ismail Kadareja renditet në mesin e 250 personaliteteve të shquara botërore  të vlerësuar deri më sot nga shteti francez.

Shkrimtari shqiptar është shpallur Oficer i Madh i Nderit (Grand Officier de la Legion d’Honneur”) më 31 janar me një dekret te posaçëm të Presidentit të Frances, Emmanuel Macron.

Shreti francez ka qenë i pari promovues i shkrimtarit shqiptar në arenën ndërkombëtare, me pikënisje që në vitin në 1970, kur Kadare botoi në frëngjisht romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Ndërsa sot shkrimtari e ndan jetën e tij midis Francës dhe Shqipërisë është vlerësuar me pothuajse të gjitha çmimet prestigjioze botërore, me përjashtim të Nobelit, në të cilën kandidon krahas emrave të mëdhenj të letërsisë botërore prej 40 vjetësh. Në vitin 1992, vetëm një vit pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Kadare u nderua me çmimin botëror Cino del Duca.

Në 2005-n, ai u bë fituesi i çmimit të parë ndërkombëtar Man Booker Price.

Në vitin 2009, Kadare fitoi çmimin Princi Asturias, një nga çmimet më prestigjioze letrare ndërkombëtare.