Francë, 89 mijë ushtarë do të zbarkojnë në qytete për protestën e 'jelekverdhëve'

7 Dhjetor 2018, 22:18

Franca ende nuk po gjen qetësi. Ngjarjet e ndodhura së fundmi me protesta të shumta, të plagosur e qindra të arrestuar kanë shqetësuar së tepërmi kryeministrin Eduardo Felipe.

Ai ka njoftuar angazhimin  e më shumë se 8 mijë forcave policore vetëm në kryeqytetin francez, për të mbajtur nën kontroll situatën. Ndërkaq, në të gjithë vendin do të jenë shumë më shumë se kaq. 89 mijë efektivë do të jenë të vendosur në të gjitha qytetet ku ka patur një valë protestash. Këto masa janë marrë në kuadër të paralajmërimit se edhe studentët do t’u bashkohen jelekverdhëve në një protestë masive që pritet të mbahet të shtunën.  

Kryeministri i vendit, gjatë një interviste televizive, ka thënë se ajo se çfarë po ndodh nuk është thjesht protestë, por një përpjekje për të shkaktuar trazira, të cilat mund të jenë me pasoja të mëdha për Francën. Sipas tij, manifestuesit do të shtohen gjatë ditëve në vijim për të shkaktuar dëme, për të qëlluar institucionet dhe forcat e policisë.

Ndërkaq, prokuroria e Parisit ka ngritur akuza për pjesëmarrje në tubime të paligjshme ndaj 153 studentëve të liceut Mantes-la-Jolie. Nga ana tjetër, autoritetet kanë marrë masa për të parandaluar pasojat e protestave duke mbyllur kullën Eiffel për turistët, por edhe të tjera qendra të rëndësishme kulturore.

Protestat kanë nisur tre javë më parë. Deri më tani, tre persona kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur.