'Frika që ke të duket në çdo moment', deputetja e PS Gjylameti 'gozhdon' ish-kryeministrin pasi e përmendi në foltore

21 Dhjetor 2018, 12:52

Sali Berisha është përfshirë në replika me deputetët e PS, Ulsi Manja dhe Blerina Gjylameti gjatë seancës së sotme. Pas fjalës së Ulsi Manjës që deklaroi se nisma e PD për vettingun në politikë u rrëzua nga Venecia reagoi Spaho dhe Berisha. Kryetari i grupit Spaho iu drejtua duke i thënë ‘Po më shpjegove ti si i trefishove votat pasi t’u këput zinxhiri i brekëve unë i tërheq akuzat”.

Berisha akuzoi Manjën si skllav të krimit. “Fjalimin ta ka përgatitur Ymer Lala, Ulsi. Sepse të kapi për zverku dhe të nxori jashtë nga gara e PS në Dibër. Edhe ato interceptime për ty janë të skllavit. Jo të gjithë jeni shtylla të krimit, disa janë bosa, disa skllav,  ti je i tillë. Ulusi gjithçka the ti ishte mashtrim, për Venecian, pasi e ka të shkruar vettingu. Secili prej jush, edhe ti Gjylameti, mos do të lexosh fjalimin e Klodiana Shullazit”. Blerina Gjylameti reagoi ndaj ish-kryeministrit ‘Frika që ke sot të duket në cdo moment kur flet, në cdo fjalë, një gojë e ligë, që e ka mbytur këtë vend. Je fatkeqësia e këtij vendit.

Sot duhet të reflektoje dhe të thoje që ke bërë gabime. Reforma në Drejtësi do të sekuestrojë pasurisë që ke vendosur ti ata që kanë qenë krah teje”. Ndërkohë që edhe Ulsi Manja iu përgjigj Spahos dhe Berishës. “Kur kryetari i grupit të opozitës përmend ushkurët, ky është fundi i opozitës së vendit. Zoti Berisha, unë mund të të ngjaj me këdo, por në xhaketën e Ulsi Manjës as ka pasur dhe as ka për të pasur njolla gjaku të njerëzve të pafajshëm të këtij vendi”.