FRPD protestë simbolike me 200 palë këpucë, Këlliçi: Balla do të jetë subjekt i drejtësisë së re

25 Prill 2019, 12:58

TIRANE-Të rinjtë e PD-së dhe LSI-së kanë zhvilluar paraditen e sotme një protestë simbolike para parlamentit, teksa po zhvillohej seanca plenare dhe po betoheshin deputetët e rinj nga listat e partive opozitare. Të rinjtë e forumeve kanë marrë me vete nga një palë këpucë, që sipas tyre janë të të rinjve të cilët janë larguar nga vendi, ndërsa pranë tyre vendosën nga një flamur të vendeve të BE-së ku kanë emigruar më së shumti.

Gjithashtu sipas tyre simbolika e këpucëve, të cilat sipas PD-së ishin 200 palë para parlamentit, tregon edhe shtypjen që kjo qeveri u ka bërë te rinjve duke u vrarë shpresën, duke mos u ofruar mundësi punësimi, arsim cilësor dhe duke mos u garantuar një të ardhme të sigurt në vendin e tyre. Të rinjtë kanë mbajtur në duar edhe parullën “Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin mërgimtar”.

Por simbolika e këpucëve e përdorur nga të rinjtë e forumeve opozitare nuk ishte origjinale, pasi është përdorur më parë në protesta në Maqedoni po për të larguarit në 2016, por edhe në Francë në 2015 në samitin për klimën në Paris. Zakonisht protestat me simbolikën e këpucëve në botë bëhen për të humburit.