Fshati Qerret në Lushnje i harruar nga shteti, banorët shtrojnë vetë rrugën: Politika kujtohet vetëm në fushatë

24 Dhjetor 2018, 20:17

Fshati Qerret në njësinë Administrative Fier Shegan të Lushnjës prej vitesh po vuan mungesën e infrastrukturës. Banorët e këtij fshati thonë se politikanët kujtohen vetëm në kohën e votimeve, ndërsa premtimet nuk kanë munguar në çdo fushatë.

Të shtyrë nga nevoja për një rrugë më të mirë banorët janë detyruar të mbledhin fonde vetë për të rregulluar sadopak gjendjen e rrugës që të çon në fshatin e tyre. Inertet i kanë blerë me paratë e tyre, por edhe punën po e kryejnë vet.

Ata kanë kërkuar në Bashkinë e Lushnjes për mbështetje, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Gjendja e rrugëve në shumë fshatra të Lushnjes është mjaftë problematike, ndërsa shpresat për rehabilitimin e tyre janë shumë të pakta, pasi historia e premtimeve vijon që pas ardhjes së demokracisë ndërsa në realitet nuk është bërë asgjë.