‘Fshehje pasurie dhe arrogancë’, Ja pse u ndëshkua prokurori i VIP-ave Ramadan Troci

23 Dhjetor 2019, 11:44

TIRANE- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut) vendosi në 15 nëntor të vitit të kaluar të shkarkonte nga detyra prokurorin Ramadan Troci, i njohur edhe si prokurori i ‘VIP-ve’, për shkak se ka arrestuar Ardian Fullanin dhe Shpëtim Gjikën, që të dy të shpallur të pafajshëm nga gjykatat. Troci u shkarkua kryesisht për fshehje pasurie, ku përpos të tjerave, KPK ngriti dyshime se kishte në pronësi edhe një apartament luksoz në afërsi të ish-godinës së ATSH-së, të cilin e kishte arreduar në mënyrë të tillë, sa që vetëm sistemi i ngrohjes dhe ftohjes kushton mbi 70,000 euro dhe televizori kushton rreth 20,000 euro. Troci kundërshtoi të gjitha gjetjet e KPK në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të shkarkimit. Troci pretendoi se nuk kishte lidhje me këto pasuri që KPK ia atribuonte atij. Kolegji i Apelimit, në tetor të këtij viti, vendosi të linte në fuqi vendimin e KPK, duke vulosur kësisoj shkarkimin e Ramadan Trocit, i cili për 15 vjet nuk mund të bëhet pjesë e drejtësisë. 

Shqiptarja.com publikon arsyetimin dhe konkluzionin e Kolegjit të Apelimit për Trocin. Sipas trupës gjykuese të kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Sokol Çomo, Natasha Mulaj dhe Luan Daci, Troci ka fshehur pasuri si dhe ka përdorur pasurinë për realizimin e një standardi jetese që nuk përputhet me nivelin e pëlqyeshëm që do i takonte një funksionari publik në sytë e publikut. “Në vlerësimin e Kolegjit, jo vetëm përfitimi në mënyrë të padrejtë i pasurive, por edhe ekspozimi me arrogancë i marrëdhënies me to, siç është jetesa në një banesë apo përdorimi i një automjeti që shkojnë përtej mundësive financiare të ligjshme e të pritshme të tij, është një fakt që prek dhe cenon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendim.