Fshehu arrestimin në Greqi/ KQZ vendos të premten për fatin e Agim Kajmakut

30 Tetor 2019, 15:25

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet të premten për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për heqjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakut.

Prokuroria e Përgjithshme në kërkesën drejtuar KQZ argumenton se Kajmaku ka gënjyer  në formularin e dekriminalizimit duke mos deklaruar se ka qenë i arrestuar dhe më pas nën hetim nga drejtësia greke.

Ndërsa ditën e sotme, edhe Partia Demokratike i është drejtuar KQZ që të vendosë sa më parë për shkarkimin kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakut.

Kërkesa e PD-së për KQZ vjen pasi Prokuroria e Përgjithshme ka vërtetuar se Agim Kajmaku ka gënjyer në plotësimin e formularit të dekriminalizimit, pasi nuk ka deklaruar se ka qenë i arrestuar dhe nën hetim nga autoritetet greke.

Partia Demokratike njofton se kërkesa për KQZ është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, duke kujtuar se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

“Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban” - shprehet Gazment Bardhi në kërkesën drejtuar 

Kërkesa e Gazment Bardhit, përveç KQZ, u është dërguar për dijeni edhe Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë.

“Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

    No videos found.