Fshehu shkarkimin në '97/ SPAK kërkoi 1 vit burg, GJKKO e dënon me 6 muaj, Luan Daci: Do e apeloj

1 Dhjetor 2020, 13:23

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Ish-gjyqtari Luan Daci është zyrtari i parë i cili dënohet nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, gjyqtari Sandër Simoni ka dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove, ndonëse SPAK kërkoi 1 vit burg. GJKKO e ka cilësuar fajtor ish-gjyqtarin, duke argumentuar se përmes deklarimit të rremë ai ka mundur të zgjidhet gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Gjyqtari ka urdhëruar që Daci të mos e kryejë dënimin me burg, ndryshe nga sa kërkoi SPAK, ku ish-gjyqtari duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës si dhe nuk duhet të ketë kontakte me persona me rekorde kriminale. "SPAK solli për gjykim çështjen numër 66. SPAK e akuzon Dacin për falsifikim dokumentesh. Më 3 shkurt 2017 Luan Daci ka aplikuar te Avokati i Popullit për t'u bërë anëtarë i KPA. Daci është pyetur në parlament pse është larguar nga Gjykata e Tiranës. Ai ka bërë deklarim të rremë pasi në 1997 KLD e ka shkarkuar dhe jo larguar me dëshirë. Daci pretendon se nuk i është kërkuar kjo e dhënë, por nga dokumentet del që e ka dorëzuar, vetëm vërtetimin e dhomës së Avokatisë. Duke paraqitur dokumentet të rreme, Luan Daci ka përfituar duke u bërë anëtarë i KPA-së. Ka fakte dhe është vepër penale dhe Daci i ka konsumuar këto sipas nenit 186/1 të Kodit Penal", mësohet të ketë thënë gjyqtari Sandër Simoni në argumentet e dhëna për vendimin.Megjithatë, në përfundim të seancës, ish-gjyqtari Luan Daci tha se ky vendim do të apelohet, duke shtuar se në jetën e tij nuk ka falsifikuar kurrë asnjë dokument. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe avokati i tij, Jordan Daci i cili tha se ky vendim është i gabuar dhe kontradiktor. Sipas SPAK, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Daci u pezullua në 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion, por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm 2 javë më pas, por tashmë ai është dënuar nga Gjykata.