Koronavirusi ka futur zyrtarisht në krizë futbollin shqiptar. Ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare federata shqiuptare e futbollit i kërkon Këshillit të Ministrave garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri, përmes një pakete kompensimi.
Sipas FSHF-së për shkak të ndërprerjes së aktivitetit klubet e kanë të pamundur për të paguar. Kjo si rrjedhojë e anulimit të të gjithë të ardhurave si biletat, transmetimet televizive si dhe tërheqjes së sponsorëve.
Konkretisht në njofim e FSHF-së kërkohet nga Këshilli i Ministrave që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë.
Federata thekson se në këtë periudhë ka zbatuar me përpikmëri të gjithë urdhrat e qeverisë, duke ndaluar futbollin e duke u bërë pjesë e thirrjeve sensibilizuese. Sakaq një ditë më parë presidenti i Ligës së Superligës, Edvin Libohova, konfirmoi për report tv se në emër të klubeve i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që që të përfshijë futbollistët dhe pjestarët e klubeve të Superligës në listën e subjektve që kompensohen nga dëmet që shkaktohen nga COVID-19.
Ndërkohë për shkak të emergjencës së koronavirusit nuk dihet ende se kur mund të rinisë kampionati.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe i ka kërkuar garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri, përmes një pakete kompensimi. FSHF iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme urdhërit nr. 132 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 08.03.2020 duke pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në vend, si dhe u kërkoi klubeve të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve dhe stafeve teknike. Njëherazi Vendimi nr.243 i Këshillit të Ministrave i datës 24.03.2020 për Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, ka ndaluar tërësisht punën e Federatës së Futbollit dhe të gjitha hallkave të këtij sektori në rang vendi.