Fundjava e 15 e protestave! Thirrje Britanisë: Mbroni Hong Kong-un

16 Shtator 2019, 12:22

Fundjava e 15 të e protestave në Hong Kong. Mijëra protestues, kryesisht të veshur me të zeza dhe me ombrella, tashmë simbolike, kanë sfiduar paralajmërimet e policisë duke marrë pjesë në marshimin pro-demokracisë të organizuar nga Fronti Civil i të Drejtave të Njeriut, protestë e cila filloi në zonën tregtare të Gjirit dhe përfundoi në qëndër të qytetit, pranë ndërtesave qeveritare.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit, të cilët bllokuan hyrjen në stacionin nëntokësor Admiralty dhe shkatërruan kamerat e mbikqyrjes.

Marshimi protestues u ndal gjithashtu para konsullatës britanike ku mijra të rinj tundnin flamuj të Mbretërisë së Bashkuar dhe parulla ku shkruhej ‘Mbroni Hong Kongun’, koloni angleze deri në vitin 1997.

‘Një vend, dy sisteme tashmë ka vdekur’, lexohej në disa parulla.

Objekt i protestave, ndër të tjera, janë edhe pasaportat Kombëtare Britanike Overseas (BNO), të dhëna banorëve të ish-kolonisë, të cilat iu lejojnë mbajtësve të hyjnë lirshëm në Britaninë e Madhe.

Javën e kaluar, rreth 130 parlamentarë britanikë nënshkruan një letër dërguar Ministrit të Jashtëm Dominic Raab, duke u bërë thirrje shteteve të Commonwealth që t'u japin banorëve të Hong Kongut shtetësinë e dytë.

Protestat, të cilat filluan në muajin qershor kundër ligjit të diskutueshëm të ekstradimit në Kinë, i tërhequr zyrtarisht në fillim të muajit shtator nga guvernatorja Carrie Lam, gradualisht u shndërruan në kërkesa për një seri reformash, për hetime të pavarur për veprimet e dhunshme të policisë dhe distancim më të madh nga Kina.