Furnizoheshin me kanabis nga shqiptarët, arrestohen shefat e tifozëve të Milanit dhe Interit

4 Qershor 2018, 16:35 | Përditesimi i fundit: 2018-06-04 17:37:41

Policia ka arrestuar shefin e tifozëve të Milanit, atë të rojeve të sigurisë së Interit dhe 20 persona të tjerë për trafik droge, ndërsa është sekuestruar edhe 250 kg kanabis në një kamion, që sipas mediave të vendit fqinj kishte ardhur nga Shqipëria.

Shefi i tifozëve të Milanit Luca Lucci sipas të dhënave nga policia italiane furnizohej me drogë nga një bandë shqiptarësh. Ai është person me precedent penal, pasi është dënuar më parë për incidentet në derbin e Milanos. Por pavarësisht urrejtjes në stadium, me shefin e sigurisë së Interit i bashkonte tregtia e drogës me shqiptarët.

Luca Lucci ishte personi që kishte lidhje me shqiptarët, ndërsa shefi i rojeve të sigurisë së Interit Massimo Mandelli koordinonte lidhjet me shpërndarësit në Milano. Për 2 vite, 140 persona janë mbajtur në vëzhgim dhe filmuar, duke zbuluar se si dy drejtuesit e tifozerisë së ekipeve armike të Milanos bashkëpunonin me shqiptarët për furnizimin me drogë të tifozëve.