Fushata 25 prillit, Godole: S’do jetë ‘ndeshje’ gladiatorësh! Basha s’preferon ‘spektakël’

24 Mars 2021, 19:25

Pavarësisht se fushata elektorale nis zyrtarisht të enjten, partitë politike nuk kanë pritur afatin zyrtar të çeljes së saj, por kanë nisur që në krye të herës joshjen e elektoralit.  Retorika politike, sjelljet në fushatë janë të ndryshme nga liderët politikë, pavarësisht qëllimit të përbashkët, fitoren më 25 prill.

Për eksperten e komunikimit politik, Jonila Godole, kjo fushatë do të ketë karakteristika të veçanta, për vetë faktin se pandemia dikton orientimin drejt komunikimit online.

Kjo fushatë është e rëndësishme për specifikat e komunikimit, pasi është përqendruar në anën virtuale, ka një lloj propagande që shkon drejtpërdrejtë nga lideri dhe partia te qytetari, pa një filtër në mes që të thotë kujdes, që është gazetari dhe sa më e mirë retorika, aq më shumë ngjit te publiku”

Retorika politike është ndryshimi i parë mes liderit socialist dhe atij demokrat. Godole thotë se në këtë aspekt, mazhorancën e sheh më agresive.

“Fushata është e gjatë është edhe një muaj dhe do shohim nëse opozita do të ruajë qetësinë që ka treguar deri më tani, dhe nëse pozita do të ndryshojë stilin e vet që deri tani është një stil agresiv në goditjen e kundërshtarit politik.”

Por cila është pika e fortë e dy liderëve politikë në këtë fushatë? Godole thotë se Rama vijon të përdorë mirë metaforën politike, ndërsa Basha po orientohet drejt modelit europian të politikanit. Shfaqjet e tij duke gatuar apo duke i lexuar së bijës në rrjetet sociale, sipas Godoles nuk do kenë impakt te votuesit.