Fushë Krujë, ferma e parë shqiptare me sistemin e hidroponisë, fruta e perime bio

31 Mars 2019, 11:30

Ina Nanaj dhe Plarent Paco nuk janë dy fermerë të zakonshëm në Shqipëri. Jo thjesht për faktin se udhëtojnë çdo ditë nga kryeqyteti drejt fshatit Gramëz të Fushë Krujës për t’u marrë me bujqësi, por sepse janë të parët në vendin tonë që kanë ndërtuar nje fermë me teknologjinë hidroponike.

Kjo teknologji është një mënyrë alternative dhe shumë ekologjike për të prodhuar fruta e perime me cilësi të mirë dhe intensitet të lartë. Për të parë nga afër këtë fermë ndryshe ishte në fshatin Gramëz ministri dhe zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi e Dhimo Koto. Ferma ka një sipërfaqe të vogël, por falë teknologjisë hidroponike prodhon sa për disa ferma të marra së bashku. Ministri Çuçi tha se inovacioni në bujqësi është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës. Ndonëse është mjaft e përdorshme nëpër botë, për vendin tonë hidroponia është ende a panjohur.

“Ne në Shqipëri po e kapim sasinë me prodhimet aktuale. Duhet të shkojmë tek cilësia”, tha ministri Çuçi duke inkurajuar zgjerimin e fermave të ngritura përmes kësaj teknologjie, pasi u japin mundësi të prodhojnë fruta e perime edhe atyre që kanë pak sipërfaqe toke ose duan të shfrytëzojnë hapësira të tjera.