‘Futbollistët duhet të japin, jo të kërkojnë!’ Idrizi: S’e kuptoj këtë ndihmën e FSHF-së

16 Prill 2020, 16:53

Federata shqiptare e futbollit pak ditë më parë i erdhi në ndihmë klubeve me një paketë financiare pas refuzimit të qeverisë. Kjo shkaktoi shumë pakënaqësi në rradhët e aktorëve të futbollit, por në një intervistë për ‘report tv’ administrator i Flamurtarit Sinan Idrizi mban një qëndrim komplet të kundërt:

“Kërkesa e njerëzve të futbollit ndaj qeverisë më duket pa kuptim. Ne duhet të ishim ata që duhet të jemi altruistët më të mëdhenj në këtë situatë. Po të shikojmë kurbën e pagesave që bëhen në Shqipëri futbollistët dhe njerëzit e futbollit janë ata që paguhen më shumë se të gjithë. Kanë privelegjë më shumë se të gjithë dhe nga ana optimal janë në klasin A.”

Idrizi i jep të drejtë pretendimit të kryeministrit Rama se klubet e futbollit në Shqipëri paguajnë detyrime shoqërore për futbollistët sikur të ishin fasoneri:

“Ju e dini shumë mirë se ka lojtarë që paguhen si roje, tjetri si banakier, e të tjera e të tjera. Ne që duhet të jemi të parët ne detyrimet ndaj shtetit nuk jemi të parët. Në kërkesa jemi të parat.”

Më tej Idrizi thotë se nuk e kupton federatën që në paktën e ndihmës nuk përfshin klubet që administrohen nga bashkitë:

“Unë di vetëm që Partizani nuk merr fonde nga bashkitë. Të gjithë klubet, ne i kemi 0 me dëshirën tonë, të tjerë marin fonde nga bashkitë. S’e kuptoj dot. Më thoni që ka edhe një klub tjetër që militon në Superligë dhe që nuk merr fonde nga bashkitë atëhërë ne paskemi arrit kulmin e kapitalizmit.”

Idrizi është dakord se në rast të ndërprerjes së kampionatit Tirana duhet të shpallet kampion:

“Për mua Tirana në këto moment padiskutim që është ekipi më i mirë i Shqipërisë.”

Kjo do të thotë se ju e pranoni që Flamurtari të bie nga kategoria nëse kampionati ndërpritet?

“Patjetër patjetër patjetër patjetër… Nëse vendoset që të ndërpritet kampionati dhe ne renditemi të fundit patjetër që e pranojmë verdiktin.”