Futi në Shqipëri 54 makina të shtrenjta pa zhdoganuar, autori dhe 4 policë në burg

7 Qershor 2019, 14:23

Prokuroria e Tiranës pas sinjalizimit nga autoritetet franceze në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave dhe SHÇBA-në ka zbuluar një rast të kontrabandës së automjeteve ku ishin të përfshirë edhe 10 punonjës policie nga të cilët 4 u arrestuan dhe 6 të tjerë janë pezulluar. Koka e trafikut sipas prokurores së cështjes, Mirela Cano ishte Arben Grabovari, i cili është arrestuar në muajin prill. Pas arrestimit të tij në pikën e Qafë Botës ku tentoi të hynte duke përdorur një pasaportë greke u zbulua e gjithë skema.

Por si funksiononte skema? Prokurorja sqaroi se koka e kontrabandës ishte Arben Grabovari i cili sipas saj  ka futur në Shqipëri 54 makina (relativisht të shtrenjta) gjatë gjithë herëve që është futur në Shqipëri në rrugë tokësore. Nga këto makina vetëm pesë janë zhdoganuar, ndërsa të tjerat jo duke u hedhur në qarkullim. Disa prej tyre dyshohet se janë përdorur edhe në ngjarje kriminale, ndërsa dëmi që i është shkaktuar shtetit nga kontrabanda është 16 mln lekë.

Roli i policëve të arrestuar dhe të pezulluarve
Sipas prokurores katër efektivët e arrestuar dje në Qafë Botë, por edhe gjashtë të tjerët që janë pezulluar në Kapshticë janë përfshirë në skemën e kontrabandës. Punonjësit e policisë kufitare sipas prokurores në 19 raste nuk kanë pasqyruar numrin e shasisë duke i bërë të paidentifkueshme duke u shënuar vetëm autoveturë.

Katër punonjësit e arrestuar për shpërdorim detyre
- Inspektor Thanas Gjika me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
- Inspektor Nazif Lama me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
- Inspektor Klemend Çani me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
- Inspektor Shpetim Gaziaj me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë.

Gjashtë punonjësit e pezulluar nga detyra
- Inspektor A.P., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë-Botë, Sarandë;
- Inspektor A.H., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
- Inspektore E.Sh., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
- Inspektore E.D., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
- Inspektore F.M., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
- Inspektore J.K., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë.