Report TV - Hapet tregu i rrobave të përdorura në Shkozë, Veliaj: Jo fjalë, por punë

15 Maj, 17:36 | Përditesimi i fundit: 2019-05-17 11:23:19

Nga sot, 103 familje nga komuniteti rom dhe egjiptian nuk do kenë më nevojë që të shesin rroba në rrugë, jashtë çdo standardi, në mes të pluhurit dhe shiut. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë hapën sot tregun e parë publik të rrobave të përdorura në Shkozë për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të komunitetit rom dhe egjiptian. Në përurimin e tregut mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetja e PS, Elona Gjebrea dhe drejtori i OSFA-s, Andi Dobrushi.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi OSFA-n për këtë bashkëpunim konkret, ndërsa theksoi se ky treg i jep dinjitet tregtisë së një komuniteti që ka shoqëruar zhvillimin e shoqërisë shqiptare në vitet e tranzicionit. “Në këto 4 vite kam mësuar se njerëzit ndahen në dy kategori: ata që bëjnë gam-gam për çdo gjë dhe njerëzit që bëjnë punë. Sa herë që kemi pasur një sfidë që duhej zgjidhur kemi preferuar të mos jemi nga ata që bëjnë seminare, konferenca, trajnime, ëorkshope e raporte; sa herë ka qenë nevoja për të zhvendosur një treg nga Bregu i Lumit, në Lanabregas, në Shkozë ose të strehojmë njerëz në banesa sociale, këtë kemi bërë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se hapja e këtij tregu është mundësi punësimi për shumë familje në nevojë të përjashtuara nga taksa për hapësirën publike, por duke nxitur formalizimin dhe arsimimin e familjeve të këtyre dy komuniteteve. “Jam i lumtur sepse sot pashë edhe Elidonin, djalin që kam takuar ditën e parë kur nisa punë në Ministrinë e Mirëqenies, i cili kishte thyer këmbën pasi e kishte përplasur autobusi kur ish-bashkia e nxorri në rrugë. Sot Elidoni jeton në një banesë sociale, një nga prindërit punon për Eco Tiranën, që është agjencia jonë e pastrimit, nëna do të shesë këtu në tregun e rrobave të përdorura. Duke dhënë shembullin e Elidonit, u kemi dhënë dinjitet të gjithë ‘Elidonëve’ të këtij komuniteti, sepse i kemi larguar nga rruga, nga kryqëzimet, nga pluhuri, nga vendi ku aksidentohen, dhe i kemi sjellë në një ambient dinjitoz, ku mund të punojnë shumë më mirë”, shtoi Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku ftoi të gjithë komunitetin që merret me tregtinë ambulante të rrobave të përdorura, të shfrytëzojnë këtë mundësi që u është krijuar për të shitur në një ambient me kushte optimale. “Ftesa për të gjithë anëtarët e komunitetit që shesin rroba të përdorura është të vijnë në këtë treg; siç larguam ata ambulantë që shisnin në rrugë dhe në fillim kishte histeri, por sot shihni se sa mirë janë duke shitur në tregjet e bashkisë, të njëjtën histeri presim edhe për këtë zhvillim. Por, histeria zgjat pak, e vërteta, fakti, prova, puna zgjat shumë. Kështu që, pasi të kalojë histeria, do largohemi nga cepat e rrugëve, nga kryqëzimet, nga pluhuri, nga dherat, nga trafiku dhe do shesim në një treg të tillë. Më vjen mirë që ende pa u hapur mirë, tregu është plot”, tha kryetari i bashkisë.

Veliaj i bëri apel edhe organizatave të tjera që veprojnë në Tiranë që nën këtë shembull të kontribuojnë për realizimin e projekteve konkrete që u vijnë në ndihmë grupeve të ndryshme sociale. “Dua t’i ftoj të gjithë donatorët: nuk kemi më nevojë për raporte, e dimë çfarë nuk funksionon, kemi nevojë për ndihma konkrete. Ndihma që na dha Fondacioni i Shoqërisë së Hapur është tipikisht sa kushton një raport 1-vjeçar për të monitoruar komunitetet. Sikur në vend të raporteve, të bënin një shtëpi, një mensë sociale, një treg, do kishim zgjidhur shumë nga këto probleme”, tha Veliaj.

Drejtori i OSFA-së, Andi Dobrushi u shpreh se mbështetja e këtij projekti vjen si një mundësi shumë e mirë për këtë komunitet për t’u punësuar dhe fuqizuar ekonomikisht. “Varfëria është një nga pengesat kryesore të zhvillimit të komunitetit rom, egjiptian. Janë dhënë shumë fonde nga donatorët për trajnime, kapacitime, shërbime etj, por nuk e ka ndryshuar situatën, si për komunitetin, po ashtu edhe për fëmijët. Ne jemi shumë të lumtur që arritëm më së fundi me bashkinë të japim mundësinë për krijimin e një tregu ku ata do të shesin rrobat e tyre të përdorura dhe shpresojmë që kjo të jetë një nismë që do të përqafohet dhe do të çohet më tutje edhe nga donatorë të tjerë në të ardhmen, pasi format e këtij biznesi social janë format e para që shfaqin një profil komplet tjetër dhe të ndihmës që donatorët duhet të japin për komunitetin, sidomos për komunitetet në nevojë”, tha Dobrushi.

Deputetja e PS, Elona Gjebrea theksoi se ky treg është një shembull i qartë sesi mund të kemi një model të biznesit social, që i vjen në ndihmë një komuniteti të vuajtur, por që transformon edhe një hapësirë të papërdorur. “Falenderoj Bashkinë e Tiranës, falenderoj kryetarin e bashkisë dhe gjithë strukturat që kanë punuar për ndërtimin e këtij tregu, i cili nga një vend i pabanuar, i ndotur, tashmë është një vend i pastër, ku komuniteti rom mundet të kontribuojë, të gjenerojë disa të ardhura, dhe të mos mjaftohemi vetëm tek pjesa e mbështetjes së tyre për sa i përket banesave sociale, që edhe ato janë shumë të rëndësishme”, tha Gjebrea.

Tregu i rrobave të përdorura është një tjetër investim që i shërben komuniteteve vulnerabël në Tiranë në këtë zonë. Ai është ndërtuar pranë kompleksit të banesave sociale dhe strehës së re që ofron ndihmën e parë për njerëzit e rrugës. Tregu ka 103 vende shitje dhe të gjithë tregtarët ambulantë përfitues, në vitin e parë të aktivitetit të tyre do të jenë të përjashtuar nga taksa e hapësirës publike. Përveç punësimit të tyre, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë edhe aspektit social, ku pjesëtarët madhorë të familjeve të përfituesve do të asistohen në punësim, si edhe ndjekjes të arsimit para shkollor, duke frekuentuar çerdhen dhe kopshtin për fëmijët e tyre.

Kategori të tjera