Gafa e gjyqtarit në Korçë, divorcon pa dashje kolegen

28 Prill 2018, 11:45 | Përditesimi: 28 Prill 2018, 11:45

Ariola Sulejmani, në muajin Shkurt 2018 ju drejtua gjykatës së Korçës, duke kërkuar ndreqjen e gabimeve të bëra në vendim nga gjyqtari Maksim Qirjazi, i cili kishte shqyrtuar tre muaj më parë kërkesën e saj për tu divorcuar nga bashkëshorti.

Në kërkesën e saj, Ariola pretendonte se në vendimin e dhënë, gjyqtari Qirjazi kishte bërë një sërë gabimesh, gjë e cila bëntë vendimin të paekzekutueshëm nga zyra përmbarimore. Veç gabimeve, për vendbanimin, vendin e punësimit, ku nga arkëtare në një kazino, gjyqtari në vendim e kishte punësuar në lokal lojra fati, Qirjazi i kishte ndryshuar dhe mbiemrin nga Sulejmani në Kristo, duke ju referuar në vendim me të dhënat e gabuara si “Ariola Kristo”.

Por nga verifikimet e bëra, në rezultoi se të dhënat “Ariola Kristo”, që gjyqtari Maksim Qirjazi ka referuar në vendimin e divorcit të shtetases Ariola Sulejmani, i përkasin gjyqtares së rrethit Korçë, Ariola Kristo. Por ky nuk është i vetmi vendim i shpallur me gabime nga gjyqtari i Korçës, Maksim Qirjazi, i cili ka sjellë probleme në fazën e ekzekutimit, duke u bërë i paekzekutueshëm, për një periudhë kohe.

Nga verifikimet e bëra na rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar gjatë fazës së procedimit disiplinor kundër këtij gjyqtari një numër prej gati 40 vendime gjyqësore, të cilat rezultojnë ti ketë zbardhur në mënyrë të gabuar dhe aspak profesionale.
 

b.ha./Shqiptarja.com