Gara për Shtëpinë e Bardhë: Donald Trump dhe Joe Biden orët e fundit të fundit për të bindur votuesit e pavendosur

2 Nëntor 2020, 13:12

Kur kanë ngelur vetëm pak orë nga mbajtja e votimeve për president të SHBA, të dy kandidatët Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Biden po përpiqen të bindin votuesit e fundit, duke përdorur argumentet e tyre më të forta gjatë fushatës.

Numri i madh i votuesve që kanë ushtruar të drejtën e votës deri tani mbi 92 milionë të bën të  se ka një interesim të madh për garën, në një vend thellësisht të ndarë.

Sondazhet e opinionit publik e kannë nxjerrë gjithmonë kandidatin demokrat para, por presidenti ka një avantazh në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit 270 votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin.

Biden bëri dy paraqitje të dielën në Pensilvani - një shtet që Trump mezi e ka fituar në vitin 2016, por që, sipas sondazheve, tani udhëhiqet nga Biden, ku theksoi edhe njëherë se platforma e tij është e duhura.

"Dhe po ne zgjedhim të vërtetën mbi gënjeshtrën, gënjeshtrat që ai përsërit. Është koha të ngrihemi. Është koha të rimarrim demokracinë tonë. Ne mund t’ia dalim. Ne jemi më të mirë sesa kemi qenë. Mund të bëjmë më të mirën, këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Biden.

Në Filadelfia, Biden apeloi te komuniteti afrikano-amerikan dhe kërkoi nga secili që nuk ka votuar ende, të paraqitet në ditën e zgjedhjeve dhe nuk humbi mundësinë të akuzojë sërish Trump për përgjigjen thuajse kriminale sipas tij ndaj krizës së shkaktuar nga Covid-19.