Gara për të mbijetuar/ SHBA grumbullojnë gjithë rezervat e ‘ilaçit të shpresës’, BE-ja me duar bosh

2 Korrik 2020, 14:45

Në përpjekje për të shpëtuar sa më shuma jetë nga infeksioni i koronavirusit, në të gjithë botën ka nisur gara e grumbullimit të sa më shumë rezervave të Remdesivir, atij që nga shumë është quajtur si ‘ilaçi i shpresës’.

Disa orë pas lajmit se Shtetet e Bashkuara kishin siguruar pothuajse të gjithë prodhimin tremujor botëror të këtij ilaçi, disa zëra ekspertësh janë ngritur kundër Uashingtonit kurse Brukseli zyrtar ka filluar të lëvizë për të siguruar atë që sot duket se është ilaçi i vetëm që ndihmon të sëmurët nga Covid

Stefan De Keersmaecker, zëdhënës i Unionit Europian deklaroi se "Komisioni Europian aktualisht po negocion me Gilead (prodhuesi farmaceutik amerikan i Remdesivir) për të rezervuar doza për vendet anëtare të BE-së". Ai gjithashtu theksoi se nuk mund të jepte detaje të mëtejshme për shkak të konfidencialitetit të negociatave.

Andrew Hill, studiues i Universitetit të Liverpool-it, pjesë e testeve klinike për efektivitetin e ilaçit, tha se ‘është e papranueshme që një vend i vetëm të grumbullojë gjithë rezervat e Remdesivir’ teksa kujtoi se në studim ishin përfshirë  pacientë nga e gjithë Europa, të cilët rrezikuan shëndetin e tyre për të testuar ilaçin.”