Fieri më në fund do të shpëtojë nga gangrena e trashëguar mjedisore si pasojë e pirgjeve të plehrave që mblidhen e digjen pa asnjë kriter. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit dhe deputet i Qarkut, Gramoz Ruçi inspektuan përfundimin e fazës së parë të projektit për impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier, i dyti i këtij lloji në Shqipëri, pas atij të Elbasanit, i cili zgjidh përfundimisht problemin e mbetjeve urbane, sipas standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian të sigurisë, të mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit.
“Para 3 vjetësh kemi shpallur emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese e mbetjeve, një fushë ku akumulohen prej 50 vitesh mbetje pafund dhe mezi po presim që të fillojë funksionimi. Pikë së pari mbetjet të mos i çojmë më atje, por të fillojmë t’i depozitojmë këtu dhe pastaj, si fazë e dytë e projektit, edhe rehabilitimi i fushës ekzistuese dhe zbatimi i projektit për ta kthyer atë në minipark,” tha kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi.
Kryeministri Rama tha se kjo është edhe përgjigja ndaj spekulimeve publike mbi projektin, që alarmoi jo pak banorët në nisje të projektit.
“Ky është kalimi nga mesjeta në kohët moderne në aspektin e trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që plehrat rrugëve, fushave janë rreziku real i përditshëm që dërrmojnë shëndetin e shkatërrojnë të gjithë pjellorinë e tokës. Një projekt i tillë kthehet në një tabelë qitjeje e fut e bjer kush të mundet: “korrupsion”, “grabitje”, “hajdutëri”, “PPP”, por lum kush duron dhe koha i vë gjërat në vend. Këtu faktikisht hapet perspektiva për të gjitha bashkitë që t’i sjellin këtu mbeturinat dhe të shpëtojë njëherë e mirë edhe mjedisi në të gjithë qarkun nga hedhjet kuturu të mbeturinave, nga vendgrumbullimet kuturu, nga helmimi i ujërave nga helmimi i tokës, nga helmimi i ajrit, nga dëmtimi i shëndetit. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe për Durrësin. Edhe aty kemi situatë emergjence mjedisore. Kemi filluar me projektin dhe një tjetër zonë e rëndësishme shpëton njëherë e mirë nga e gjithë çmenduria e plehrave në hapësirë dhe i gjithë ai potencial ndotës shpërbëhet dhe kthehet në një mjedis të mbrojtur me parametra normalë për jetën e njerëzve e turizmin,” u shpreh Kryeministri.
Me vënien në funksion 100% e projektit do të sigurojë edhe prodhimin e energjisë elektrike dhe të avullit, një benefit për zonën.