Gati ligji që integron Shqipërinë në tregjet kripto-financiare! Rama: Kemi hapur një rrugë të re mundësish

24 Tetor 2019, 19:27

TIRANE- Kryeministri Edi Rama i është bashkuar edhe ditën e sotme Konferencës së e 41 ndërkombëtare të komisionerëve për mbrojtjen e të dhënave, që po mbahet në Shqipëri. Në fjalën e tij, ai tha se qeveria shqiptare ka hapur një konsultim publik për tregjet financiare, bazuar te teknologjia blockchain.

“Dua të bëj një njoftim për ata që janë këtu dhe ata që po na ndjekin, që qeveria e Shqipërisë ka hapur një konsultim publik, një ligj të ri, për tregjet financiare bazuar te teknologjia blockchain, që mendojmë se është një ndërmarrje shumë guximtare e ndërmarrë nga Shqipëria. Është e qartë që përmes teknologjisë blockchain ne do kemi mundësinë për t’iu dhënë në të ardhmen sistemeve tona një efikasitet më të lartë dhe një siguri më të madhe, sa i përket psh. pronës, pronësisë. Dhe gjithashtu, për një vend si Shqipëria, blockchain mund të ofrojë një mundësi shumë efikase për dërgesat nga jashtë, duke ulur kostot dhe rritur shpejtësinë e ndërveprimeve. Përmes këtij sistemi, askush nuk mund të shmanget nga detyrimet.

 

Ne po përpiqemi gjithashtu të hapemi për përdorimin e monedhave kripto, por në një kuadro të rregulluar. Askush s’e ka bërë akoma. Mundësitë që ofron teknologjia janë të pafundme. Ne kemi hapur një rrugë të re mundësish për zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Projektligji për “Tregjet Financiare të bazuara në Teknologjinë e Regjistrave të Shpërndarë” pritet të dërgohet shumë shpejt në Parlament, duke rregulluar një sektor që në vitet e fundit ka marrë një hov zhvillimi edhe në vendin tonë.

Shfleto ligjin – http://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/223

Ligji i ri përcakton metodat e licensimit të operatorëve vendas apo të huaj, duke i hapur rrugë regjistrimit të kompanive që operojnë me teknologjinë më të avancuar të “Blockchain” edhe në vendin tonë.

Një teknologji e tillë e pahakueshme përdoret aktualisht edhe nga kripto-monedha më e famshme në botë, “Bitcoin”, por “blockchain” është një teknologji që mund të gjejë aplikime në shumë fusha.

Sipas ekspertëve, deri në vitin 2030, shumica e transaksioneve tregtare në botë do të realizohen përmes teknologjisë së “blockchain”, e cila për herë të parë fut konceptin e një kontrate të vetënegociueshme dhe vetëzbatueshme nga ana e biznesit.

Në fjalë të tjera, në momentin e dakordësimit të një kontrate, mbi bazën e kësaj teknologjie ajo bëhet “smart” dhe si e tillë, e vetëekzekutueshme.

Aktualisht, teknologjia “blockchain” po gjen një përhapje të madhe jo vetëm në fushën e tregtisë, por edhe në shëndetësinë e avancuar, “E-Learning”, energjinë e rinovueshme, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e bujqësisë, etj.

Projektligji i hartuar në përputhje me modelet më të avancuara në botë dhe rekomandimet e Bashkimit Europian, synon që duke hapur tregun shqiptare ndaj kësaj teknologji inovatore, të nxisë formimin e start up shqiptare në fushën e hi-tech, duke rritur punësimin, veçanërisht tek të rinjtë.

Një qëllim i dytë i këtij ligji është përshpejtimi i revolucionit dixhital, sidomos përsa i përket pagesave dixhitale, të cilat falë rritjes së transparencës dhe gjurmueshmërisë shërbejnë për të luftuar direkt evazionin fiskal apo fenomenin e pastrimit të parave.

    No videos found.