Gati pr/ligji për regjistrimin dhe monitorimin e mjeteve lundruese, Beqaj: Të bëhen me biletë elektronike

16 Shtator 2020, 09:19

Jo vetëm transporti publik por edhe për mjetet lundruese po shikohet mundësia që të përdoret bileta elektronike. Ky ishte propozim i deputetit socialist Ilir Beqaj në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, që u pranua nga zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli.

Jemi duke punuar një sistem kombëtar biletimi për autobusët, mendoj se një gjë të tillë do të ishte me interes ta bënim edhe për një pjesë të mjeteve lundruese. E kam më shumë merakun sepse mendoj se kështu besoj edhe ju si ministri jeni në gjendje të kontrolloni më shumë kapacitetet e shfrytëzimit të tyre. Nëse turizmin detar duam ta zhvillojmë dhe mund të kemi kapacitete të pamjaftueshme për ta monitoruar unë besoj se një biletimi elektronik do të mundësonte edhe kontrollin e numrit maksimal sa ai ka licencën”, u shpreh deputet i PS Ilir Beqaj.

Kuptohet që në këtë rast policia do e ketë shumë më të thjeshtë me regjistrin elektronik të biletimit pasi bën kontrollin vetë  dhe nuk ka nevojë as të hapi dokumentet në bord, nëse do të ndalohet mjeti. Kjo që po bëjmë është shumë e rëndësishme dhe propozimi i Beqaj do të merret në konsideratë”, pohoi zëvendësministri i Infrastrukturës. 

Ky diskutim në komision është bërë teksa po shqyrtohej projektligji “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit, me motor me fuqi mbi 30 kë dhe me tonazh nën 150 GT”.  Ky projektligj synon rregullimin e mënyrës së regjistrimit të mjeteve lundruese duke krijuar dy regjistra elektronik të cilët do të jenë të aksesueshëm edhe nga institucionet e shtetërore.