Gati shkolla e re në Mangull, dyfish më e madhe, Veliaj: Nuk do ta lemë me kaq, por do të vijojmë punët

26 Mars 2021, 07:56

Shkolla e re në fshatin Mangull të Petrelës është thuajse gati të presë fëmijët. Ata nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë gjatë, nëpër shkolla të tjera, pas rindërtimit të shkollës së tyre.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, inspektuan punimet e fundit për shkollën e re 9-vjeçare, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit. Shkolla e re është dyfish më e madhe, me klasa deri në 24 nxënës, 3 laboratorë, bibliotekë e kabinete mjekësore, si dhe palestra e terrene sportive, që mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti.

Kryebashkiaku tha se ndërtimi i shkollave të reja të Tiranës po kryhet me të njëjtin standard, si në qendër, ashtu edhe në periferi. “Më vjen mirë që kemi të njëjtin standard si në qendër të Tiranës, edhe këtu në Petrelë. Shkolla e re është një gëzim i madh për të gjitha familjet. Nuk është vetëm një shkollë, por edhe një qendër e teknologjisë së informacionit, ku nxënësit do të mësojnë kurse programimi e gjuhë të huaja. Mezi pres që nxënësit ta shohin shkollën e re dhe të shpëtojmë një herë e mirë nga vara-vingot në Tiranë”, tha Veliaj.