Gazetarët e 'Daily Mail' kanë udhëtuar në Shqipëri për të investiguar falsifikimin e pasaportave të BE-s. “Duhen vetëm tre ditë nga dhënia e porosisë për të marrë një dokument të falsifikuar në Tiranë”, thuhet në shkrimin e kësaj gazete.
Gazetarët kanë regjistruar të gjithë pazarin me një falsifikator shqiptar, i cili për 1000 euro prodhonte pasaporta italiane, me të cilat siç thuhet në artikull përdoren për të hyrë ilegalisht në Angli. "Në kryeqytetin shqiptar Tiranë ne kontaktuam një falsifikator pas një ndërmjetësimi dhe pas 72 orësh kishim në dorë pasaportën italiane".
Ne, thotë Daily Mail, i dhamë falsifikatorit shqiptar fotot, por pasaporta e blerë mbante emrin e vërtetë të një shtetaseje italiane me vendlindje Monzën, të dhëna të cilat ishin marrë nga regjistri Italian i qytetarëve.
Falsifikatori shqiptar u ofroi gazetarëve anglezë edhe një kartë shëndeti me emrin Tessera Sanitaria, me të cilën gjithkush fare mirë në Angli mund të hapë një llogari bankare apo të marrë shërbime shëndetësore nëse do të paraqitej në Angli.
Janë pikërisht të tilla dokumente, thekson Daily Mail, që kanë bërë të mundur futjen ilegale në Angli të mijëra shtetasve shqiptarë.
