Gazetari Adriatik Doçi: Meta-Berisha dy të trishtuarit e mëdhenj për funksionimin e Kushtetueses

23 Dhjetor 2020, 20:37

Gazetari i Shqiptarja.com dhe Report Tv, Adriatik Doçi, i ftuar në studion e lajmeve në Report Tv, për të komentuar plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, u shpreh sot ka dy të trishtuar të mëdhenj në Shqipëri nga emërimi i anëtarit të gjashtë të Kushtetueses, që e bën këtë gjykatë funksionale.

Sipas, tij dyshja është Sali Berisha dhe Ilir Meta. "Dy të trishtuarit e mëdhenj janë krerët e deklaruar të frontit kundër reformës në drejtësi, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ka pesë vite që njëri në prapaskenë dhe tjetrit në skenë, që i kundërvihen reformës në drejtësi. Kanë sulmuar Vetingun, SPAK, BKH dhe sidomos procedurat për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. E kanë shpallur reformën komplot", tha Adriatik Doçi. 

Ai vuri në pah kontributin e Metës për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese. "Emëroi Besnik Muçin pa veting. Muçi u shkarkua. Prej një viti bëhen përpjekje për ta zëvëndësuar. Emëroi Xhaferllarin pa Veting dhe në vend të Arta Vorpsit. Venecia tha qē asnjë kandidat të mos emërohet pa Veting. Bëri sherr personal me Dvoranin, duke penguar procedurat" - shtoi Doçi. 

Sipas tij, nëse nuk do të ishte Yuri Kim, Kushtetuesja nuk do të ishte funksionale as në vitin 2021.

"Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka rol vendimtar në plotësimin e dy vakancace, që e bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese. Pa presion pozitiv të Yuri Kim Kushtetuesja nuk do të ishte funksionale as në vitin 2021. Kim është angazhuar që në maj të 2020, duke vënë në lëvizje institucionet për plotësimin e vakancave. Presidenca, KED dhe Kuvendi dështuan dy herë në 2018 dhe 2019 për të plotësuar vakancat" - tha së fundmi gazetari.