Gazetari Qyno: Grupi që rrëmbeu dhe vrau Jan Prengën mban me pagesa korruptive policët dhe prokurorët

29 Janar 2020, 13:56 | Përditesimi i fundit: 2020-01-29 16:17:16

TIRANË - Jan Prenga ka hyrë me këmbët e tij në kompleksin "Golden" siç është fiksuar nga kamerat e sigurisë, dhe ka dalë i mbajtur në krah pa shenja jeta nga disa persona. Detajet i dha në studion e Report Tv, gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno, duke cituar deklarime të oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët kanë analizuar kamerat e sigurisë pranë resortit "Golden" në Xhafzotaj pranë Shijakut. Ai tha se Jan Prenga është filmuar i gjallë teksa nxirret nga makina e autorëve, e cila sipas policisë rezulton t'i jetë vjedhur një këngëtareje, ndërkohë që pas 8-9 orësh, ai del i pajetë i mbajtur në krah nga personat, të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë në pengmarrje dhe vrasje.

Gazetari Elton Qyno tha se janë edhe 5 persona të shpallur në kërkim, mes të cilëve Altin Hajri, por edhe tre persona nga Vlora dhe 1 nga Shkodra. Sipas tij, duke cituar burime nga prokuroria, ata janë persona me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vrasjeve dhe lëndëve narkotike. Por edhe persona të dyshuar që mund të kenë marrë peng persona të tjerë, veçanërisht në zonën e Vlorës.

Ndërkohë i arrestuari i pestë për pengmarrjen e Jan Prengës dhe më tej vrasjen e tij, Festim Bexhdilli, dyshohet të ketë pasur rol në fshehjen e gjurmëve. Sipas gazetarit Qyno, ai ka djegur rrobat e Jan Prengës. Teksa policia ka arrestuar 5 persona, dhe 5 të tjerë i ka shpallur në kërkim, trupi i 49-vjeçarit që u rrëmbye më 17 janar në Kamëz, ende nuk është gjetur. 

Gazetari Elton Qyno tha se shkak për ngjarjen e rëndë u bë vëllai i Jan Prengës, i cili ishte korrier i dy grupeve kriminale, në Vlorë dhe në Shijak. Ai dyshohet se transportonte sasi të konsiderueshme kokaine duke i kaluar nga porti i Anglisë, për t'i futur në Angli. Por teksa kishte kaluar me sukses disa rrugë transporti, vëllai i Jan Prengës së fundi, në dhjetor 2019, nuk kishte dorëzuar një sasi prej 283 kg kokainë të cilën e kishte marrë në Portin e Anglisë, dhe i kishte bërë presion anëtarëve të grupit kriminal, se kërkonte më shumë lekë për punën që ai bënte.